
Seanca e Kuvendit të Kosovës, e cila ishte paraparë të fillonte në orën 10:00 për votimin e Qeverisë së re, ende nuk është hapur edhe pse ora ka shkuar 11:00. Në sallë janë tashmë shumica e deputetëve, por i mandatuari për kryeministër, Albin Kurti, nuk është parë ende.
Derisa pritet nisja e seancës, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka konfirmuar ende nëse ka arritur një marrëveshje që do t’i siguronte 61 votat e nevojshme për formimin e Qeverisë “Kurti 3”.
Partitë kryesore opozitare shqiptare kanë deklaruar në hyrje të Kuvendit se nuk do ta mbështesin qeverinë e re të propozuar nga Kurti. Në anën tjetër, disa deputetë nga komunitetet joshumicë kanë pohuar se kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi me mandatarin.
Deputeti i komuniteteve joshumicë, Veton Berisha, konfirmoi se është kontaktuar nga Kurti mbrëmjen e së shtunës. Ai nuk zbuloi nëse biseda ka përfshirë ndonjë ofertë për pozita qeveritare, por theksoi se grupi i tij nuk do të jetë pengesë për procesin.
“Kemi diskutuar, por të shohim sot propozimet si janë. Kemi pas mbrëmë kontakt, kemi takuar kryeministrin. Nuk jemi bllokues asnjëherë,” u shpreh Berisha.
Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse Vetëvendosje ka siguruar mbështetjen e mjaftueshme për ta kaluar votimin e qeverisë, ndërsa sytë e opinionit publik janë të kthyer nga Kuvendi, ku po pritet fillimi i seancës vendimtare për formimin e Qeverisë “Kurti 3”.
