POLITIKË /

Zgjedhjet e reja/ Celibashi “rrëzon” një nga kërkesat e protestuesve: S’jemi gati për depolitizim të administratës zgjedhore dhe për numërimin elektronik

Kreu i KQZ propozon një model hibrid, ku partitë politike të vijojnë të kenë rol në administrimin e zgjedhjeve, por me një përfshirje më të madhe të KQZ-së në përzgjedhjen e komisionerëve.

Shkruar nga Versus

Zgjedhjet e reja/ Celibashi “rrëzon” një nga kërkesat

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, ka deklaruar se Shqipëria nuk është akoma gati për një depolitizim të plotë të administratës zgjedhore, madje as për numërimin elektronik.

Me deklaratën e dhënë sot në komisionin parlamentar i njohur si "Xhafaj", Celibashi ka rrëzuar një prej 5 pikave kryesore të  kërkesave të protestuesve, të cilët i artikulojnë prej më shumë se një muaji, ajo e ndryshimit të Kodit Zgjedhor.

Kreu i KQZ propozoi një model hibrid, ku partitë politike të vijojnë të kenë rol në administrimin e zgjedhjeve, por me një përfshirje më të madhe të KQZ-së në përzgjedhjen e komisionerëve.

Sipas tij, zgjidhja mund të jetë që partitë politike të jenë prezentë në administrimn e zgjedhjeve, por nuk duhet të jenë vetëm ato 100 për qind. Celibashi tha se do të duhet një zgjidhje hibride, nga njëra anë partitë kryesore politike të jenë pjesë e administrimit, por nga ana tjetër KQZ të ketë një rol më të madh dhe më direkt në zgjedhjen e këtyre komisionereve.

"Unë si komisioner shtetëror nuk jam me idenë që anëtarët e këtyre komisioneve të jenë nëpunës civilë, jemi akoma herët që ky proces të administrohet tërësisht nga nëpunësit civilë",- tha kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi.

Nga ana tjetër, procesi i numërimit të votave është kontestuar vit pas viti, ndërsa Celibashi thotë se ka ardhur koha për të ndryshuar mënyra si numërohet vullneti i qytetarëve.

"Në çdo rast, kështu siç e kemi nuk e kemi mirë",- thotë Celibashi.

Kreu i KQZ u pyet edhe për votimin e plotë elektronik, por ai tha se aktualisht nuk mund të ndodhë në të gjithë vendin edhe për faktin se kosto shkon deri në 45 milionë euro./Versus.al

 

 

Poll