
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shpalli fitoren e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke e cilësuar këtë si “fitore historike” për vendin.
“Më 9 shkurt fitoi LVV-ja me partnerët, më 28 dhjetor fitoi populli i Kosovës dhe Republika,” deklaroi Kurti, duke theksuar se partia e tij është në rrugë për të tejkaluar rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, kur kishte fituar 50.2% të votave.
Kurti nënvizoi se rezultatet e së dielës kërkojnë veprime të menjëhershme dhe tha se sa më shpejt të certifikohen rezultatet, aq më shpejt do të formohen institucionet dhe do të vazhdohet me punën e qeverisjes.
Ai bëri të ditur se legjislatura e re do të përballet me Planin e Rritjes së BE-së prej 880 milionë eurosh dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore, me vlerë totale mbi 1 miliard euro.
Kreu i LVV-së ftoi opozitën për bashkëpunim në Kuvend, veçanërisht në çështje të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe projektligjeve të tjera.
Sa i përket zgjedhjes së presidentit të ri, Kurti tha se është herët për të diskutuar këtë temë, duke shtuar se bashkëpunimi me opozitën dhe me presidenten aktuale, Vjosa Osmani, do të jetë i domosdoshëm./Versus.al


