
Deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, ka votuar këtë të shtunë në zgjedhjet për kreun e PD-së, ku kandidat i vetëm është Sali Berisha.
Në një prononcim për mediat, Topalli e cilësoi rastin e Berishës si “unik” në politikën shqiptare, duke theksuar se ai arriti të rikthehej pavarësisht izolimit politik, shpalljes “non grata” dhe arrestimit.
Sipas saj, Berisha është një lider që ka fituar mbështetje të gjerë jo për shkak të pushtetit, por për shkak të besimit të qytetarëve.
“Politika është provë karakteri. Ka liderë që janë të fortë sepse kanë pushtetin, por në rastin e Berishës ndodhi diçka krejt tjetër. U lobua për ta shpallur non grata, u izolua politikisht, iu hoq vula e partisë dhe nisi fushatën elektorale nga arresti”, u shpreh Topalli.
Ajo shtoi se, kur një lider përballet me pengesa të tilla dhe arrin sërish të marrë mbështetjen e qindra mijëra qytetarëve, ai kalon përtej politikës tradicionale.
“Kur në këto kushte merr besimin e mbi 500 mijë shqiptarëve, ai hyn në territorin e simbolikës dhe nuk funksionon më me logjikën klasike të establishmentit politik”, deklaroi deputetja demokrate.

