
Lëvizja Vetëvendosje ka zgjedhur sërish kryetarin e saj, Albin Kurtin për kryeministër në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen në 28 dhjetor.
Vendimi u mor sot në mbledhjen e 61-të të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes.
Glauk Konjufca, i cili shpalli nominimin e Kurtit për kryeministër, e ka konsideruar atë si kryeministrin më të suksesshëm dhe të më votuarin nga populli në historinë e demokracisë parlamentare.
“Jemi mbledhur që sot ta nominojmë kryeministrin e ardhshëm nga radhët e Vetëvendosjes, unë do ta nominoj më të votuarin nga populli ynë në historinë e demokracisë parlamentare. Më meritorin në udhëheqjen e Lëvizjes Vetëvendosje, liderin e transformimit social dhe demokratik të Kosovës, kryeministrin më të suksesshëm të republikës, Albin Kurti”, deklaroi Konjufca.
Konjufca akuzoi opozitën se po përpiqet të bllokojë shtetin vetëm për të dobësuar Albin Kurtin.
“Verdikti i popullit në zgjedhjet e shkurtit nuk ishte të ecim vetëm, por të ecim së bashku me partnerin tonë në një koalicion demokratik. U refuzuam. Refuzimi në demokraci nuk është fundi i botës, prandaj ne u përgatitëm që pjesa tjetër e opozitës do ta bënin qeverinë. Ata refuzuan ta bëjnë edhe qeverinë.
LVV-në nuk e lanë, vetë nuk deshën ta bëjnë, prandaj qytetarët me të drejtë pyesin se çka duan ata me të vërtetë. Ata duan të bllokojnë gjithçka që më pas bllokimi i shtetit të duket si dobësim i LVV-së. Kjo është agjendë tejet e dëmshme dhe antishtetërore. Për këtë qëllim ata kanë treguar se janë në gjendje të shkojnë deri në humnerë.
Ta sakrifikosh shtetin që Albin Kurti të dalë keq. Përmes kësaj maskarade po mendojnë se e rrisin mbështetjen në popull”, tha Konjufca.
