Kryedemokrati Sali Berisha ka dalë në një konferencë për mediat ku ka njoftuar protestë më 16 maj, ditën kur në Tiranë vijnë krerët e 46 shteteve të Evropës për samitin e Komunitetit Politik Europian.
“Libri i zi i këtyre zgjedhjeve shkruhet me datën 16 në ora 17:00 në Bulevardin e Parë për të sensibilizuar opinionin publik botëror mbi krimet monstruoze të përbindëshit elektoral Edi Rama, që nuk respekton asnjë rregull, asnjë ligj kombëtar dhe ndërkombëtar për zgjedhjet. Protesta do të jetë paqësore.”- tha Berisha.
Ndërsa foli për përdorimin e bandave dhe blerjen e votave për të kryer masakër elektorale më 11 maj.
“Në rrethin e Durrësit punonin për deputetë të veçantë dhe jo më pak në Elbasan. Po kështu në Fier, Mallakastër. Këto ishin zgjedhje që u sunduan si asnjëherë më parë nga vrasës serialë killer, trafikantë, dhunues, përdhunues. Zgjedhjet e 11 majit u karakterizuan nga blerja publike më masive në tërë historinë e zgjedhjeve në Shqipëri. Zarfi me 100 euro i dërguar në mes të fushatës elektorale dhe amnistia prej 200 mln euro gjoba dhe kamata nga viti 2015-2025 është blerja publike më e fuqishme që ka ndodhur në historinë e vendit.
Çdo bimë kanabisi është përllogaritur për blerje votash në mënyrën më të pamëshirë. Punësimi, punë për votat, u aplikua masivisht në këto zgjedhje. Sistemi patronazhist kriminal i futur në strofullën ose në qendrën e votimit, ishte një polici terroriste ndaj zgjedhësve shqiptarë. Drejtuesit më të lartë të SHIK, u morën me të gjithë regjistrat e rrjetit agjenturor të Sigurimit të Shtetit dhe e aktivizuan atë për karrigen e Edi Ramës. Ne po evidentojmë me shumë përgjegjësi krimin elektoral. Ky krim është po kaq monstruoz në diasporë. E morët vesh besoj, sesi në kutinë e Beratit për diasporën dilte PS me 99.6%. Pra kemi të bëjmë me Korenë e Veriut, kjo është e vërteta”- deklaroi Berisha. Versus.al







