AKTUALITET /

Arrestohet roja private që dhunoi protestuesin në Zvërnec, pamjet shkaktuan reagime të forta

Videoja e të riut që tërhiqej zvarrë dhe pa ndjenja u përhap me shpejtësi, duke nxitur indinjatë dhe kërkesa për përgjegjësi

Shkruar nga Versus

Arrestohet roja private që dhunoi protestuesin në Zvërnec, pamjet

Një nga rojet private të sigurisë të përfshira në incidentin e ndodhur gjatë protestës në Zvërnec është arrestuar mbrëmjen e sotme, pas reagimeve të shumta publike që pasuan publikimin e pamjeve të ngjarjes.

Videoja, e cila u shpërnda me shpejtësi në rrjetet sociale dhe mediat online, tregonte momentin kur një protestues tërhiqej zvarrë nga dy roje private, ndërsa sipas dëshmive dhe pretendimeve të bëra publike, ai kishte humbur ndjenjat pasi ishte goditur me grusht nga një person i tretë.

Pamjet kanë shkaktuar reagime të menjëhershme dhe të shumta në opinionin publik, me qindra komente dhe denoncime në rrjetet sociale, ku qytetarë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë kërkuar hetim të plotë të ngjarjes dhe ndëshkimin e përgjegjësve.

Më herët gjatë ditës, Policia e Shtetit njoftoi se kishte nisur procedimin penal ndaj dy rojeve private që shfaqeshin në video duke tërhequr protestuesin prej krahësh. Pas veprimeve të mëtejshme hetimore, njëri prej tyre është arrestuar, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e incidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e të gjithë personave të përfshirë.

 

Poll