Detaje të reja, janë publikuar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Balldren, ku prindërit e 4 fëmijëve, u vranë me mbi 30 plumba kallashnikovi, duke sjellë një situatë që mund të përshkallëzojë konfliktin mes dy fiseve, Mhillaj dhe Mujeci në Lezhë.
Njëri nga 3 pjesëmarrësit në këtë vrasje, rezulton të ishte në kërkim. Edhe pse në kërkim, ai ka pasur kohën dhe qetësinë e mjaftueshme për tu organizuar dhe kryer vrasjen e dyfishtë.
Siç mëson gazetari Elton Qyno, Adriano Mhillaj, 22-vjeçari i shpallur në kërkim për vrasjen e dyfishtë të Gentiana dhe Kreshnik Mujecit në Balldren të Lezhës, kërkohej që prej Janarit 2026 edhe nga policia e Shkodrës.
Mhillaj, është shpallur në kërkim prej 16 janarit 2026, pasi prokuroria e Shkodrës ka ngrituar akuzën e “Kanosjes me armë” në dëm të Eduard Kësallës dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”.
Ngjarja është rregjistruar në zonën e quajtur “Kryqëzimi i Vinotekës” në Shkodër, ku gjatë një konflikti për motive të dobëta, Adriano Mhillaj, ka “Kanosur me armë zjarri”, shtetasin Eduard Kësalla.
Për shkak të këtij konflikti,Kësalla, ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të Mhillaj dhe personave të tjerë. Si pasojë e këtyre veprimeve, prokuroria e Shkodrës shpalli në kërkim Eduard Kësallën për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese” mbetur në tentativë dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve”.
Pas 3 muaj nga shpallja në kërkim, Kësalla u kap 3 javë më parë nga Policia e Shtetit, në zonën e “Freskut” në Tiranë, gjatë operacionit të koduar “Operacionalja 89”.
Ndërsa Adriano Mhillaj, edhe pse ishte në kërkim me vendim të Gjykatës së Shkodrës, nuk është arritur të lokalizit dhe arrestohet nga Policia e Shtetit.
Gjatë këtyre 3 muajve, Mhillaj, edhe pse ka qënë në kërkim ka pasur mundësinë të organizohet së bashku me dy kushërinjtë e tij, Renato Mhillaj dhe Florinin Mhillaj, për të kryer vrasjen e Kreshnik Mujecit, e bashkë me të vranë edhe bashkëshorten e tij, Gentiana Mujecin.
Vrasja ndodhi në shenjë gjakmarrje pasi Mujeci dyshohet se në vitin 2016 ishte përfshirë së bashku me vëllain dhe kushëririn e tij, në vrasjen e Genc Mhillaj, babait te personit të shpallur në kërkim tashmë, Renato Mhillaj dhe xhaxhait të Adriano dhe Florinin Mhillaj.


