AKTUALITET /

Vrasje, trafik droge dhe pastrim parash/ Megaoperacioni antidrogë Shqipëri-Itali, Eurojust: U shkatërrua një rrjet i rrezikshëm kriminal franko-shqiptar

Sic njofton vetë EUROJUST, ky rrjet franko-italian dhe shqiptar, ishte i përfshirë në krime të rënda si vrasje me metoda mafioze, trafik droge dhe pastrim parash

Shkruar nga Versus

Vrasje, trafik droge dhe pastrim parash/ Megaoperacioni antidrogë

Një tjetër rrjet kriminal u shkatërrua gjatë një megaoperacioni të koordinuar nga EUROJUST.

Sic njofton vetë EUROJUST, ky rrjet franko-italian dhe shqiptar, ishte i përfshirë në krime të rënda si vrasje me metoda mafioze, trafik droge dhe pastrim parash.

Gjatë operacionit të shtrirë në dy shtetet, në Itali dhe Shqipëri, janë vënë në pranga 12 persona të dyshuar si dhe janë lëshuar urdhër-thirrje për tre të tjerë. Ky rrjet kriminal dyshohet se fshihet pas një vrasjeje të bujshme të ndodhur vitin e kaluar në territorin italian.

Hetimet e koordinuara zbuluan se gjithçka nisi më 25 maj të vitit të kaluar, ku një sherr në një bar në rajonin e Barit në Itali, eskaloi shpejt në një vrasje brutale. Viktima u ekzekutua me metoda mafioze dhe trupi i tij u gjet në një shpellë të izoluar në zonën e “Alta Murgia”.

Hetimet e mëtejshme për këtë vrasje zbuluan lidhje të forta me një rrjet të trafikut të lëndëve narkotike, i cili drejtohej nga një shtetas shqiptar.

Pasi autoritetet ranë në gjurmët e vrasjes dhe trafikut të drogës, zbuluan një strukturë të mirëfilltë kriminale që merrej me pastrimin e parave në nivel ndërkombëtar. Nga të dhënat zyrtare të EUROJUST, ky grup kishte arritur të pastronte rreth 1 milion euro të përfituara nga aktiviteti kriminal në Itali, duke i transferuar ato drejt Shqipërisë përmes një rrjeti të strukturuar me bazë në Tiranë.

Në total, 15 persona janë marrë të pandehur dhe akuzohen për vepra të rënda si: vrasje me paramendim e kryer me metoda mafioze, gjobëvënie e mbetur në tentativë, armëmbajtje pa leje e municioneve, si dhe përkrahje e autorit në krim.

Ky operacion është kurorëzimi i një pune të gjatë investigative falë skuadrave të përbashkëta hetimore (JIT) të ngritura mes Prokurorisë së Barit (DDA) dhe Strukturës Ndërkohë të Posaçme (SPAK) në Tiranë.

Që nga viti 2018 e deri më sot, janë ngritur 5 skuadra të përbashkëta hetimore që kanë shënjestruar organizatat kriminale shqiptare të përfshira në trafikun e kokainës dhe heroinës. Bilanci i këtij bashkëpunimi disavjeçar është mbresëlënës: mbi 170 të arrestuar dhe sekuestrimi i më shumë se 7 tonëve drogë (kokainë, heroinë, marjuanë dhe hashish), ku shumë prej të dënuarve kanë marrë dënime deri në 20 vite burg.

Në këtë aksion të fundit morën pjesë aktive Antimafia e Barit (DDA), Policia Italiane, Atasheu i Sigurisë pranë Ambasadës Italiane në Tiranë, si dhe Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) së bashku me Policinë e Shtetit Shqiptar. Versus.al

Poll