Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se përgjatë 24 orëve të fundit në vend janë raportuar 16 vatra zjarri, prej të cilave 4 kanë mbetur aktive ende.
Në total, vatrat e zjarrit janë shfaqur në bashkitë e Elbasanit, Finiqit, Tiranës, Vorës, Durrësit, Fierit, Kuçovës, Poliçanit, Hasit, Vaut të Dejës, Matit dhe Mirditës.
Vatrat aktive janë si më poshtë:
Në Elbasan, ku prej 5 ditësh po punohet për shuarjen e flakëve që po djegin mbetjet në landfillin e qarkut. Një grup ekspertësh ka mbërritur në terren për matjen e ndotjes së ajrit pasi qytetarët kanë raportuar vështirësi në frymëmarrje.
Bashkia Finiq: Vatra mes fshatit Grazhdan (njësia Livadhja) dhe fshatit Malçan (njësia Dhivër). Situata është më e qetë dhe intensiteti i zjarrit ka rënë. Zjarri po monitorohet nga një mjet zjarrfikës me 3 efektivë dhe punonjës të Shërbimit Pyjor në fshatin Malçan.
Bashkia Tiranë: Në fshatin Bulticë, njësia Vaqarr, në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Terreni i vështirë e bën të pamundur kalimin e mjeteve. Sot do të vijojë ndërhyrja me forca operacionale dhe helikopterin Cougar.
Bashkia Has: Në zonën malore mes fshatrave Gjinaj dhe Domaj, në një sipërfaqe me pyll pishe. Era dhe terreni i thyer e bëjnë të vështirë ndërhyrjen, por puna për kontrollin e flakëve vijon.
Zjarret janë regjistruar kryesisht në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi. Në dy raste pati dëme materiale:
– Bashkia Fier: Në fshatin Seman i Ri, një banesë u përfshi nga flakët. Pronari u transportua në Spitalin Rajonal dhe banesa pësoi dëme në orendi dhe pajisje elektroshtëpiake.
– Bashkia Vorë: Në fshatin Fushë Prezë, një hangar me bar u përfshi nga flakët duke shkaktuar djegien e 1600 dëngjeve me bar. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan:
– 21 automjete zjarrfikëse
– 190 forca operacionale
– 35 efektivë të Forcave të Armatosura
– 2 automjete zjarrfikëse ushtarake
– 4 kamionë vetëshkarkues
– 1 traktor me zinxhirë
– 1 helikopter Cougar
– 1 grup ekspertësh për matjen e ndotjes së ajrit
– 29 automjete të firmave private
Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje lokale të dobëta në disa qarqe. Sa i përket zjarreve, pritet nivel rreziku “I LARTË” pothuajse në të gjitha qarqet. Vetëm në qarqet Durrës, Korçë dhe Vlorë pritet nivel “I MODERUAR”, me rrezik lokal “TË LARTË” në zona të caktuara (Durrës – Jug, Korçë – Qendër, Vlorë – VeriQendër). Versus.al







