AKTUALITET /

17 vjeçarja në Vlorë tentoi vetëvrasjen dhe u plagos me plumb në kokë, arrestohet babai i saj, nën hetim gjyshi

Babai i adoleshentes u arrestua nën dyshimin e dhunës në familje dhe gjyshi i saj po hetohet për armëmbajtje pa leje.

Shkruar nga Versus
17 vjeçarja në Vlorë tentoi vetëvrasjen dhe u plagos me
Foto nga momenti kur 17 vjeçarja mbërrin në spitalin e Vlorës

Vlorë- Baba i 17 vjeçares e cila tentoi vetëvrasjen mesditen e djeshme në lagjen “Kushtrimi” është arrestuar nga policia pas kryerjes së hetimeve paraprake.

43 vjeçari S.S është arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprat penale “dhunë në familje” dhe “shkaktim të vetëvrasjes”. Sipas policisë, adoleshentja ka tentuar të vetëvritet pas gjendjes së rënduar të shkaktuar nga dhuna që kishte ushtruar babai ndaj saj.

Hetimet në gjendje të lirë kanë nisur edhe për gjyshin 76 vjeçar P.H i cili akuzohet për armëmbajtje pa leje. Pistoleta me të cilën adoleshentja ka tentuar vetëvrasjen, ishte nën zotërimin e tij duke qenë se edhe tragjedia ndodhi në shtëpinë e tij.

Ndërkohë policia po vijon punën për gjetjen e armës së zjarrit e cila dyshohet se është fshehur nga familjarët e adoleshentes pas ngjarjes së rëndë. Aktualisht 17 vjeçarja ndodhet në spitalin e Traumës ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.

Gjendja e saj paraqitet kritike pasi ka mbetur e plagosur me plumb në kokë.  Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme. Versus.al

Poll