AKTUALITET /

20 mijë lekë për të mbijetuar! Pensionistët në Shqipëri paguajnë faturat, marrin ilaçet, për ushqimin mbeten me ‘sytë nga qielli’

Shkruar nga Versus

20 mijë lekë për të mbijetuar! Pensionistët në

Në Shqipëri, jeta për shumë pensionistë është kthyer në një përballje të përditshme me varfërinë. Me të ardhura mujore që mezi arrijnë rreth 20 mijë lekë , ata detyrohen të bëjnë zgjedhje të vështira mes nevojave më bazike si ushqimit, ilaçeve dhe pagesës së faturave.

Rritja e vazhdueshme e çmimeve ka rënduar edhe më shumë këtë realitet, duke bërë që produktet më të domosdoshme të jenë gjithnjë e më të paarritshme. Për shumë të moshuar, pensioni nuk është më një garanci për një jetë dinjitoze, por thjesht një mjet për të shtyrë ditët.

Rasti i Majlindës në Tiranë është një nga shumë historitë që pasqyrojnë këtë situatë. Ajo jeton e vetme dhe mbështetet vetëm te pensioni prej 17,970 lekë. Një pjesë e madhe e kësaj shume shkon për qiranë, pasi banesa e saj u dëmtua nga tërmeti dhe vetëm gjysma mbulohet nga shteti. Më pas vijnë faturat e energjisë elektrike dhe ujit, që për të janë të panegociueshme.

Pas këtyre pagesave, shumë pak mbetet për ilaçe dhe ushqim. Dhimbjet e vazhdueshme të shpinës e detyrojnë të mendojë për ekzaminime mjekësore, por kostot janë të papërballueshme. Ushqimet shpesh i merr me listë, duke hyrë në borxhe që shtohen çdo muaj. Qesja e saj e blerjeve është gjithmonë minimale, disa produkte bazë si oriz, vaj, makarona dhe thjerrëza.

Një realitet i ngjashëm është edhe ai i 78-vjeçares Qamiles, e cila jeton me djalin e saj të sëmurë. Pensioni prej rreth 20 mijë lekësh  është i vetmi burim të ardhurash për familjen. Pasi paguan faturat dhe ilaçet, në dorë i mbeten rreth 5 mijë lekë, një shumë që sipas saj “zhduket menjëherë”.

Në përpjekje për të blerë ushqime, ajo përballet çdo ditë me çmime të papërballueshme. Para tezgave të tregut, ajo ndalet, sheh dhe largohet duarbosh. Domatet, kastravecët apo specat janë luks për të. Edhe në market, situata mbetet e njëjtë, çmimet janë të larta dhe zgjedhjet të pamundura.

Pavarësisht vështirësive ekstreme, si Majlinda ashtu edhe Qamilja përpiqen të jenë korrekte me detyrimet ndaj shtetit. Faturat e ujit dhe energjisë elektrike janë ndër të parat që paguajnë çdo muaj, edhe pse kjo do të thotë më pak ushqim në tryezë. TCH

Poll