
Ditën e sotme Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar përfundoi gjykimin për 22 të pandehur, të cilët akuzohen për veprat penale të lidhura me prodhimin, shitjen dhe kultivimin e narkotikëve, si dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
Të pandehurit ishin Pjetër Gjoni, Roland Gjoni, Danjela Hasani, Valbona Haka, Mimoza Hoti, Elida Doku, Hurme Baftaj, Frange Gjini, Fatime Baftaj, Drita Çuni, Dorontina Hoxha, Blerina Meta, Arian Popa, Arben Uruçi, Ardjan Tahiri, Samet
Dahati, Besar Lejthiza, Izmir Dahati, Ermis Sela, Afrim Dahati, Liljana Çopani dhe Vajdie Allamani”, të përfshirë në një grup të strukturuar kriminal kultivoi 23 mijë rrënjë kanabis në zonat malore të Malësisë së Madhe dhe kishte në posedim 246 kilogramë kanabis të paketuar në thasë.
Pjetër Gjoni, i akuzuar si një nga personat kryesorë të këtij grupi, u deklarua fajtor për “Prodhimin dhe shitjen e narkotikëve” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, duke u dënuar përfundimisht në 7 vite e 4 muaj burg, që do të vuhet në një institucion të sigurisë së lartë. Për akuzën e “Kultivimit të bimëve narkotike”, Gjoni u shpall i pafajshëm.
Roland Gjoni u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat në ngarkim të tij, teksa gjykata vendosi shuarjen e masës së “arrestit në shtëpi”.
Disa prej të pandehurve të tjerë u dënuan me burg, ndërsa për një pjesë gjykata vendosi pezullim të ekzekutimit të dënimit dhe vënie në provë për 3 vite.
Arben Uruçi – 6 vite e 8 muaj burgim
Ardjan Tahiri – 6 vite e 8 muaj burgim
Danjela Hasani – 6 vite e 8 muaj burgim
Ndërsa një grup prej 10 të pandehurash, përfshirë: Valbona Haka, Mimoza Hoti, Elida Doku, Hurme Baftaj, Frange Gjini, Fatime Baftaj, Drita Çuni, Dorontina Hoxha, Blerina Meta, Liljana Çopani dhe Vajdie Allamani, u dënuan me nga 4 vite e 8 muaj burgim, por dënimi iu pezullua dhe u vendos shërbim prove për 3 vite.
Përveç Roland Gjonit, gjykata shpalli të pafajshëm edhe: Besar Lejthiza, Izmir Dahati (për një prej akuzave), Ermis Sela (për një prej akuzave), Afrim Dahati (për një prej akuzave) dhe Samet Dahati (për një prej akuzave).
Besar Lejthiza u urdhërua të lirohet menjëherë nga ambientet e paraburgimit, nëse nuk mbahet për ndonjë çështje tjetër.
