AKTUALITET /

"300 mijë euro për të prishur provat", Alibej i nxjerr të gjitha për atentatin ndaj ish-prokurorit Ndoja: Plarenti do ta tentonte sërish

Sipas Alibejt, Dervishaj kishte planifikuar që ta provonte sërish ekzekutimin e ish-prokurorit Ndoja, por atentati në Gjirin e Lalzit nuk u realizua.

Shkruar nga Versus
"300 mijë euro për të prishur provat", Alibej i nxjerr
Erion Alibej dhe Plarent Dervishaj

I penduari i drejtësisë, Erjon Alibej i cili akuzohet për disa ngjarje kriminale, ka dëshmuar sot në GJKKO në seancën gjyqësore që zhvillohet ndaj ish-krerëve të bandës së Durrësit Plarent Dervishaj e Julian Meçe për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja në 2019-ën.

Alibej rrëfeu se i kishin ardhur fjalë se atentatin ndaj Dervishajt e kishte urdhëruar Lul Berisha. Ndërsa tregoi sesi informacionet i merrte nga një punonjës policie në Elbasan të cilin e shpërblente me para.

Në dëshminë e tij, Alibej ka zbuluar sesi Dervishaj i kishte rrëfyer se për të prishur provat që njerëzit e tij kishin lënë në atentatin e dështuar ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, i kishin kërkuar 300 mijë euro ryshfet. Pas dështimit, Alibej tha se Dervishaj kishte planifikuar tjetër atentat ndaj Ndojës në Gjirin e Lalëzit.

Dëshmia e plotë e Erion Alibejt në GJKKO:

Me Plarentin nuk më lidhte asgjë. Plarentit me vonë i ndodhi një atentat dhe unë interesohesha me Plarentin si për hallet e mia. Dhe ia përcillja të gjitha të dhënat. Na vinin fjalë se atentati që i kishin bërë, me thonin e ka bërë Lul Berisha. Unë ia thashë ta gjykojë vetë këtë informacion. Më vinin dhe informacione për hallet e mia. I kam dërguar edhe në sistemin TIMS foton e njërit me mbiemër Kabashi. Kam patur një punonjës policie gjatë gjithë periudhës që më jepte të dhëna gjithë kohën. Ka qenë punonjës policie në Elbasan. Punonjësit ia shpërbleja ndihmën. E pajisa dhe me Sky dhe me EnchroChat. Ia bëja unë rimbushjen. Rimbushja ka qenë 600 € në atë periudhë.

Redjan Rrajën e kam dëgjuar përherë të parë në televizor. E dija që pas atentatit të prokurorit Arjan Ndoja ishte Plarent Dervishaj. Pas atentatit të prokurorit, kemi biseduar gjatë. U zbulua shpejt si ngjarje, sepse personat që bënë atentatit kishin lënë syze, nuk i kishin djegur makinat, ishin trembur kur kishin disa persona afër dhe gabuan. Më thotë Plarenti që e kam shok të ngushtë Redjan Rrajën, dhe donte të futej në makinë me zor që të merrte pjesë dhe ai. Plarenti më thotë që jam duke u interesuar për të fshirë provat në laborator. Më tha që i kishin kërkuar 300 mijë € dhe po priste përgjigje. Kjo ka qenë pjesa kur Redjan Rraja është përmendur për herë të parë. Unë i dërgoja informacione Plarentin, sepse në atë periudhë donin të me ekzekutonin me snajper.

Por atë në atë kohë, donin të vrisnin edhe Plarentin me snajper te një lokal të Vollga. I thashë bëj kujdes. Kur shpëtoi prokurori, diskutova me Plarentin që Arjan Ndoja shkonte në një lokal në Gjirin e Lalzit dhe fliste që po përgatitej ta godiste atje. Aleksandër Lahon nuk e mbaj mend mirë, Plaurenti nuk e llogariste fare. Fliste gjithmonë, thonte janë mbyll fare. E kishte te prokurori fokusin.

Në seancën e kaluar, pati përplasje mes ish-prokurorit Arjan Ndoja i cili aktualisht është zgjedhur deputet i PD në zgjedhjet e 11 majit dhe ndaj 2 të akuzuarve për atentatin ndaj tij, Plarent Dervishaj dhe Julian Meçe. Ndoja tha se nuk kishte dijeni përse kishin tentuar ta ekzekutonin, ndërsa dy të pandehurit duke mohuar që të kishin lidhje me atentatin, shprehën ndër të tjera pakënaqësitë ndaj Ndojës për mënyrën sesi kishte ndërhyrë në çështje të ndryshme. Versus.al

Poll