
Gjykata Kushtetuese nuk pranoi sot kërkesën e “Shqipëria Bëhet” tëe Adriatik Lapajt dhe Shoqata “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” për shfuqizimin e Aktit Normativ që parashikon financimin e pjesshëm të koncertit të Kanye West në Tiranë.
Kushtetuesja tha se kërkesa nuk ishte e plotë dhe i la afat atyre 10 ditë për plotësim të dokumentacionit, ose në të kundërt, kërkesa do të arkivohet.
“Në përgjigje të interesimit tuaj për kërkesat e paraqitura nga Partia “Shqipëria bëhet” dhe Shoqata “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, ju njoftoj se në datën 10.07.2026, në Gjykatën Kushtetuese janë paraqitur dy kërkesa me objekt shfuqizimin e Aktit Normativ nr. 3, datë 06.07.2026, “Për financimin e pjesshëm të organizimit të një aktiviteti kulturor-turistik me përmasa ndërkombëtare”, si dhe pezullimin e zbatimit të tij.
Konkretisht, Partia “Shqipëria Bëhet” nuk kishte bashkëlidhur aktin e themelimit dhe statutin e partisë, ndërsa Shoqata “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” nuk kishte paraqitur dokumentet që provojnë statusin e saj juridik, si dhe aktin e përfaqësimit për avokatët e deklaruar në kërkesë.
Ndërkohë qeveria ka dorëzuar në Kuvend aktin normativ për financimin me 4 milionë euro të koncertit, që pritet të kalojë në seancë plenare për miratim.
"Eagle Stadium" i ndërtuar për zhvillimin e këtij koncerti, do të ketë 60 mijë vende, dhe po ngrihet në një sipërfaqe 65 mijë metra katrorë, në kilometrin e parë të autostradës Tiranë-Durrës. Mbi 3.500 punonjës janë angazhuar në ndërtimin dhe përgatitjen e arenës.
Koncerti është pjesë e turit botëror të artistit për vitin 2026, i cili nis në Shtetet e Bashkuara dhe vijon më pas në Azi dhe Europë./Versus.al

