
Një vrasje e rëndë ka tronditur qytetin e Laçit mbrëmjen e së enjtes, ku 40-vjeçari Ilir Gjini, i njohur edhe me nofkat Lika, Kokaj dhe Nure, u qëllua për vdekje me armë zjarri.
Sipas Policisë së Shtetit, Gjini ka humbur jetën gjatë rrugës për në spital, për shkak të plagëve të rënda të marra nga të shtënat.
Para disa muajsh i kishte ndërruar jetë bashkëshortja, e cila kishte qenë edhe shtatzënë.
Për ngjarjen është shpallur në kërkim Emiljan Suti, i njohur edhe si Artur Suti, i cili dyshohet si autori i vrasjes. Hetuesit po punojnë për kapjen e tij, ndërsa po mblidhen prova për të zbardhur dinamikën e plotë të krimit.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se mes viktimës dhe të dyshuarit kishte pasur më herët konflikte. Rreth një muaj para ngjarjes, dy personat dyshohet se janë përplasur për një konflikt banal në qendër të Laçit, ndërsa mbrëmjen e djeshme janë përballur sërish.
Sipas hetimeve paraprake, Gjini ishte duke u kthyer pranë banesës së tij, kur sapo kishte parkuar automjetin dhe po i drejtohej hyrjes së pallatit, është qëlluar me shtatë plumba.
Pas krimit, Policia ka shoqëruar për t’i marrë në pyetje nënën dhe vëllain e Emiljan Sutinit, ndërsa vijojnë kontrollet për gjetjen e tij.
Në vendin e ngjarjes, grupi hetimor ka sekuestruar edhe një armë zjarri pistoletë, e cila dyshohet se i përkiste viktimës. Një nga pistat që po verifikohet është nëse Gjini ka shkuar i armatosur pranë banesës së autorit të dyshuar, por kjo pritet të konfirmohet nga analizimi i kamerave të sigurisë dhe dëshmive të banorëve.
Hetuesit po marrin në pyetje persona që mund të kenë dijeni për marrëdhënien mes dy burrave, me qëllim zbardhjen e konflikteve të mëparshme dhe motivit të vrasjes.
Hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj vrasjeje dhe kapjen e autorit të dyshuar vijojnë./Versus.al

