
Këngëtarja Xhensila Myrtezaj ka reaguar publikisht ndaj lajmeve të publikuara ditët e fundit në disa media dhe rrjete sociale, ku pretendohej se ajo ishte nën hetim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Përmes një deklarate të shpërndarë në rrjetet e saj sociale, artistja i ka cilësuar këto pretendime si të pavërteta, duke theksuar se nuk është subjekt i asnjë hetimi nga SPAK.
Myrtezaj shprehet se publikimi i këtyre lajmeve ka dëmtuar figurën, dinjitetin dhe reputacionin e saj, ndërsa paralajmëron se do të ndërmarrë hapa ligjorë ndaj çdo portali apo personi që vijon të përhapë informacione të pavërteta.
Në reagimin e saj, këngëtarja u bën thirrje mediave të verifikojnë faktet përpara publikimit të lajmeve dhe të shmangin përhapjen e informacionit të paverifikuar.
Deklarata e plotë e Xhensila Myrtezajt
"Portalet dhe faqet që kanë publikuar ose shpërndarë lajme të pavërteta duke përfshirë emrin tim kanë keqinformuar opinionin publik.
Sqaroj qartë se nuk jam subjekt i asnjë hetimi nga SPAK. Çdo pretendim në të kundërt është i rremë, i pabazuar dhe cenon figurën, dinjitetin dhe reputacionin tim.
I bëj thirrje të gjitha mediave dhe portaleve të verifikojnë faktet përpara publikimit. Çdo shpifje apo informacion i pavërtetë që dëmton reputacionin tim do të ndiqet me të gjitha mjetet ligjore.
Dhe çdo portal që vazhdon dhe shpif mbi imazhin tim do të ndiqet në të gjitha rrugët ligjore."/Versus.al

