
Janë bërë publike pamjet e aksionit të ndërmarrë nga autoritetet italiane në Breshia, ku u godit një grup kriminal i përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, i dyshuar për trafik ndërkombëtar droge.
Në video shfaqen momentet e kontrolleve të kryera me ndihmën e qenve antidrogë, ndërsa policia gjen sasi të konsiderueshme lënde narkotike.
Pjesë e sekuestrimit është edhe drogë e paketuar në qese të shënuara me logon e markës luksoze britanike “Rolls Royce”.
Një operacion i përbashkët mes SPAK-ut dhe Prokurorisë së Breshias ka rezultuar në goditjen e një rrjeti kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës.
Me urdhër të Gjykatës së Breshias janë lëshuar 24 masa sigurie, nga të cilat 9 janë ekzekutuar menjëherë në qytet.
Hetimet zbuluan se grupi, i përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, kishte një rol të dyfishtë: furnizimi i drogës dhe shpërndarja e saj në zona të ndryshme të Breshias, me bazë në provincat Rovato dhe Palazzolo. Heroina transportohej nga Shqipëria drejt Italisë, ndërsa kokaina vinte nga Amerika e Jugut.
Në total, në hetim janë 49 persona, prej të cilëve 46 janë shqiptarë.
Sipas Prokurorisë së Breshias, vlera e drogës e trafikuar nga ky grup arrin rreth 12 milionë euro, ndërsa autoritetet kanë sekuestruar pasuri me vlerë afërsisht 3 milionë euro, të fituara nga aktiviteti kriminal.
Droga dërgohej kryesisht përmes kamionëve, ku shoferët bashkëpunonin me grupin, por nuk mungonin as rastet kur transporti bëhej me autobus.
Operacioni vjen si pjesë e përpjekjeve të autoriteteve për të goditur rrjetet e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
