
Qytetarë të Prrenjasit refuzojnë bashkimin e tyre me bashkinë Librazhd, nisur nga deklarata e bashkëkryetarit të Reformës Territoriale, Arbjan Mazniku.
Përtej bindjeve politike, qytetarët e Prrenjasit janë bashkuar në kundërshtimin e këtij propozimi, duke e cilësuar atë si një cenim të identitetit dhe përfaqësimit të tyre.
Ndërkohë, kundërshtimi është shtrirë edhe në rrjetet sociale, ndërsa në qytet do të nisë të firmoset gjerësisht një peticion kundër bashkimit të mundshëm të Prrenjasit me Bashkinë Librazhd.
Prrenjasi ka qenë prej dekadash një bashki më vete, me histori, tradita dhe identitet të konsoliduar.
Ndërsa Rrajca, një nga zonat më të njohura të bashkisë, shquhet për vlerat e saj natyrore dhe historike, duke përfshirë territorin e Parkut Kombëtar të Shebenik-Jabllanicës, çka forcon më tej veçantinë e kësaj bashkie në hartën administrative të vendit.

