
Ka nisur në sheshin para Kryeministrisë, protesta e qytetarëve kundër qeverisë e cila sot numëron 51 ditë.
Një nga aktivistët, në nisje të protestës, ka rikujtuar protestën e së enjtes para Kuvendit e cila pritet të jetë e madhe në pjesëmarrje.
Një nga organizatorët e protestës tha se, disa nga deputetët që u qëlluan ditën e sotme me vezë, u futën skuthave nga frika e përballjes me protestuesit.
Ai tha se ata përfaqësuesit e popullit kanë frikë nga nga populli që i ka votuar. Sipas tij, kjo tregon se ata nuk janë përfaqësuesit e qytetarëve, por të oligarkisë ekonomike dhe krimit të organizuar.
Aktivisti bëri thirre që të gjithë të jenë para Parlamentit me datë 23, për t'u thënë se nuk janë përfaqësuesit e tyre, as deputetet Sara Mile, Zegjine Çaushi dhe Albana Vokshi, nuk janë përfaqësuesit e tyre.
“Më datë 23 kur është seanca e fundit plenare të mblidhemi para parlamentit. Por në faqen zyrtare të Kuvendit kjo datë është fshirë, nuk ekziston, e di çfarë do të thotë kjo, se ata kanë frikë nga ne. Kush është ky kryetar parlamenti, kush janë këta deputetë që datën 23 nuk e kanë seancë plenare. Por edhe nëse ata nuk e kanë datën 23 seancë, ne do të jemi aty.
Sigurisht ata fshihen prej nesh, nuk kanë guxim të shohin në sy, e dinë se nuk janë përfaqësuesit tanë, e dinë se nuk janë votuar. Por ata e dinë se çdo ligj është për ta vjedhur këtë vend. Pikërisht për seancën e fundit plenare që është parashikuar të mbahet më datë 23 ne do jemi atje, më shumë se kurrë, më të fortë se kurrë, do të jemi atje për t’u thënë se nuk na përfaqësoni”, tha aktivisti.

