7 ditë më parë Apeli i gjykatës së Tiranës la në fuqi masat e sigurisë të kërkuara nga prokuroria e Fierit lidhur me arrestimin e Leonidha Çobos, ish-drejtorit të kompanisë “Bankers Petroleum” dhe CEO-s aktual kinezit Hongping Xiao përsa i përket aktivitetit të kompanisë që dyshohet se ka shkaktuar dëm masiv ekonomik për buxhetin e shtetit shqiptar.
Versus.al ka siguruar detaje konkrete lidhur me shkeljet të cilat prokuroria e Fierit dyshon se Leonidha Çobo i ka kryer nëpërmjet kësaj kompanie gjatë periudhës 2010-2019 ku përveç drejtorit të përgjithshëm ka mbajtur edhe pozicione të tjera të ndryshme. Në dosje thuhet se dyshohet se Çobo ka kryer disa vepra penale si fshehja e të ardhurave, pastrimi i parave, shpërdorimi i kompetencave dhe korrupsioni pasiv në sektorin privat.
Paga marramendëse
Vetë Leonidha si paga pune nga viti 2012 e deri në vitin 2019 që është larguar nga kompania, ka përfituar plot 584.741.220 lekë ose e thënë ndryshe mbi 5.8 miliardë lekë të vjetra. Gjatë vitit 2016 Leonidha Çobo dhe dy drejtues të tjerë të kompanisë, kanë përfituar mbi 3 milionë euro si shpërblime me arsyetimin e ndryshimit të pronësisë së shoqërisë duke rënduar kështu edhe bilancet e firmës që merrej me nxjerrjen dhe përpunimin e naftës të Patos-Marinëz.
Me anë të një skeme të mirëorganizuar, paratë të cilat do të duhet t’i kalonin buxhetit të shtetit shqiptar, kanë kaluar në kompani të të afërmve të Çobos apo firma që hapeshin nga ky i fundit vetë me një punonjës të cilat merrnin pagesa nga “Bankers Petroleum” për shërbime fiktive të pakryera.
Skema e pastrimit të parave
Mes marrëveshjeve që kanë dëmtuar kompaninë “Bankers Petroleum” është edhe ajo me shoqërinë e familjes Çobo e regjistruar në QKB si “Tea Co” sh.p.k e themeluar nga Artur Çobo, vëllai i Leonidha Çobos dhe kunata e këtij të fundit Antigone Çobon. Përgjatë viteve 2005-2019 kompania “Tea Co” sh.p.k ka marrë plot 45 milionë euro nga “Bankers Petroleum” duke mos patur kapacitetet e mjaftueshme profesionale e njerëzore për të përmbushur shërbimet e deklaruara me vlerë aq të larta. Kompania përzgjedhej gjithmonë nga Çobo pa procedura tenderimi dhe duke u pranuar çdo faturë të ekzagjeruar që familjarët e tij paraqisnin.
Tabela e të ardhurave të gjeneruara nga kompania “Tea Co” sh.p.k. Vihet re rënia drastike e të ardhurave pas largimit të Leonidha Çobos nga “Bankers Petroleum”.
Në vitin 2006- 92,642,032 lekë të ardhura
Në vitin 2007- 63,628,909 lekë të ardhura
Në vitin 2008- 119,588,760 lekë të ardhura
Në vitin 2009- 160,940,730 lekë të ardhura
Në vitin 2010- 327,164,144 lekë të ardhura
Në vitin 2011- 435,995,425 lekë të ardhura
Në vitin 2012- 672,119,823 lekë të ardhura
Në vitin 2013- 728,877,765 lekë të ardhura
Në vitin 2014 - 669,915,628 lekë të ardhura
Në vitin 2015- 611,993,334 lekë të ardhura
Në vitin 2016- 394,591,098 lekë të ardhura
Në vitin 2017- 363,638,909 lekë të ardhura
Në vitin 2018- 434,387,993 lekë të ardhura
Në vitin 2019- 433,073,902 lekë të ardhura
Në vitin 2020- 114,561,942 lekë të ardhura
Në vitin 2021- 53,560,511 lekë të ardhura
Në vitin 2022- 7,295,026 lekë të ardhura
Në vitin 2023- 4,348,662 lekë të ardhura.
Në vitin 2024- 3,012,498 lekë të ardhura.
Punonjës funerali për kompaninë që nxirrte naftë
Ajo çfarë e bën edhe më flagrante skemën e ngritur nga Leonidha Çobo në bashkëpunim me familjarët e tij është fakti se në kompaninë “Tea Co” sh.p.k stafi i të punësuarve rezultojnë të jenë punonjës të agjencive funerale, shoferë, ndihmës teknikë dhe pompistë të cilët sipas prokurorisë pavarësisht se mund të kenë qenë të përfshirë në operimin e puseve të naftës, nuk mjaftojnë për të justifikuar shumat marramandesë të faturuara në mungesë të inxhinierëve apo teknikëve të industrisë së naftës. Versus.al







