AKTUALITET /

A e pyeti Ramën para se të depozitonte kallëzimin në SPAK? Balla i përgjigjet avokatit Gjokutaj: Nuk kam marrë ndonjëherë...

Në seancën në GJKKO për dosjen “Partizani”, Taulant Balla u përball me pyetje të shumta nga avokati Genc Gjokutaj për kallëzimin dhe rolin e drejtuesve politikë. Ai deklaroi se nuk ka marrë leje nga kryetari i partisë dhe se ka vepruar i pavarur në këtë çështje.

Shkruar nga Versus
A e pyeti Ramën para se të depozitonte kallëzimin në SPAK?
Taulant Balla

Seanca e radhës në GJKKO për dosjen “Partizani” është shoqëruar me debate dhe pyetje të shumta, ku në qendër ka qenë dëshmia e kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha, Genc Gjokutaj, e ka pyetur Ballën nëse kishte informuar kryeministrin Edi Rama për kallëzimin e bërë në lidhje me çështjen.

“Jo fare, nuk e kam vënë,” u përgjigj Balla, duke theksuar se për asnjë kallëzim nuk ka marrë leje nga kryetari i partisë.

Gjokutaj vijoi me pyetjet, duke ngritur dyshime nëse Rama kishte pasur dijeni apo kishte firmosur më herët për çështjen në fjalë, duke aluduar për vendimmarrje lidhur me pronën.

Balla u shpreh se nuk kishte dijeni për një gjë të tillë: “Nuk kam qenë i informuar për veprime të tilla.”

Avokati ngriti gjithashtu çështjen e interesit publik, duke pyetur nëse Balla e kishte diskutuar këtë shqetësim me drejtuesit politikë.

“Për asnjë kallëzim nuk kam marrë ndonjëherë leje nga kryetari i partisë,” përsëriti Balla.

Gjatë seancës, Gjokutaj e pyeti gjithashtu nëse ai njihte kryeministrin Rama, ndërsa Balla u përgjigj: “E njoh patjetër. E njoh në mënyrë sistematike.”

Në vijim, avokati kërkoi të dinte nëse ishin ndërmarrë hapa konkretë për të parandaluar atë që ai e cilëson si procedurë korruptive.

Balla u shpreh se e kishte ngritur çështjen në Parlament dhe më pas kishte bërë kallëzimin si qytetar.

Në një moment debati, Gjokutaj deklaroi se ekziston një kontradiktë mes dëshmisë së Ballës dhe veprimeve të qeverisë, duke iu referuar ndryshimeve të përdorimit të pronës së ish-klubit sportiv.

“Rrëfimi juaj sot bie ndesh me veprimin që ka kryer kryetari juaj,” tha avokati.

Balla reagoi duke përsëritur se nuk kishte marrë asnjë leje nga kryetari i partisë dhe se kishte vepruar në mënyrë të pavarur në kallëzimin e tij./Versus.al

Poll