Një aksident i rëndë rrugor ka tronditur komunitetin shqiptar në Gjermani në orët e para të mëngjesit të së shtunës, më 25 maj. Ngjarja e rëndë ndodhi pranë qytetit Koblenz, ku u përfshinë disa shtetas shqiptarë.
Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën tre shtetas shqiptarë, ndërsa katër të tjerë janë plagosur dhe po marrin trajtim në spitalet e zonës.
Autoritetet shqiptare në Gjermani janë vënë menjëherë në lëvizje. Ambasada shqiptare në Berlin dhe Konsullata e Përgjithshme në Mynih janë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet gjermane dhe po ndjekin nga afër zhvillimet e hetimit për të zbardhur rrethanat e aksidentit.
Në njoftimin e saj, ministria shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave, ndërsa uroi shërim të shpejtë për të plagosurit.
Strukturat konsullore shqiptare në Gjermani kanë ofruar ndihmën e tyre për të gjithë personat e prekur nga kjo tragjedi, si dhe për familjarët që ndodhen në Shqipëri. Është vënë gjithashtu në dispozicion një numër emergjent kontakti për qytetarët që kërkojnë më shumë informacion apo ndihmë:
+49 1523 79 13 997
Autoritetet gjermane po punojnë për të përcaktuar shkaqet e sakta të aksidentit.
Deri më tani, nuk janë dhënë detaje të plota mbi rrethanat, por burime paraprake flasin për një përplasje të fuqishme mes automjeteve në një segment të rrugës pranë Koblenz-it. /Versus.al/







