Në ditët e para të pranverës të këtij viti një personazh i vecantë, me shtetësi turke por i instaluar në Shqipëri për biznese shumë fitimprurës, siç është ai i call centerave, Veysel Sahin udhëton drejt Dubait, për një takim shumë të rëndësishëm pune.
Ndërsa në Tiranë vijonin cicmicet politike, diku larg në Lindjen e Mesme, diçka me rëndësi pritej të diskutohej mes turkut Sahin dhe një apo disa personave të tjerë.
Shërbimet e huaja të inteligjencës kanë interceptuar mundësinë e këtij takimi, ndërsa janë vënë në lëvizje për të vëzhguar lëvizjet e të gjithë protagonistëve deri në faktimin me foto e (jo vetëm) të një takimi shumë ‘special’.
Çfarë ndodhi në Dubai që tërhoqi dhe vëmendjen e partnerëve të huaj? Kjo histori duket se po përsërit atë të vitit 2019, ku disa krerë të krimit dhe trafiqeve të jashtëligjshme u mblodhën në Aruba, nën praninë e një zyrtari të lartë shqiptar për të vendosur ‘piketat’ e derdhjes së flukseve multimionëshe në sektorë me eficencë, kryesisht si ai i ndërtimit. Duket se një marrëveshje e re është në horizont dhe nga eksperienca e pasur e këtij vendi, krismën do ia dëgjojmë tek financat dhe pasuritë e përbashkëta.
Kush është Veysel Sahin
Veysel Sahin, prej vitesh jeton në Shqipëri, sigurisht me shkëputje herë pas here, pasi operon me disa biznese në disa vende, përfshirë dhe vendlindjen e tij, Turqinë. Raportimet nga burime brenda policisë së shtetit, thonë se Sahin prej vitesh operon në fushën e call centerave duke zhvatur miliona euro kryesisht nga shtetas evropianë. Zyrat e tij janë të shpërndara në zonat më elitare të Tiranës me dhjetëra të punësuar, ndonëse operacionet e herëpashershme të autoriteteve për mbylljen dhe shpërbërjen e këtyre rrjeteve çuditërisht anashkalojnë aktivitetet e paligjshme të Veysel Sahin.
Jo vetëm call centera, por dhe kripto, pastrim parash e baste online
Pak kohë më parë autoritetet turke sekuestruan 500 milion dollarë në asete kripto çka shënoi një goditje të rëndësishme ndaj rrjetit të dyshuar të basteve të paligjshme të lidhur me Veysel Sahin. Autoritetet turke kryen kontrolle në zyrat e ish-bashkëpunëtorëve të tij dhe të kompanive që dyshohej se kishin lidhje me aktivitetet financiare të rrjetit, ndërsa u bllokuan edhe asete të platformave kripto të përfshira në hetim.
Sipas akuzave të ngritura në Turqi, Sahin kishte drejtuar për vite me radhë një rrjet të gjerë bastesh online dhe dyshohej se kishte përdorur kompani të ndryshme për të lëvizur dhe pastruar fitimet e krijuara nga aktivitetet e paligjshme. Hetuesit dyshuan se një pjesë e këtyre fondeve ishte kanalizuar përmes kompanive që operonin në vende të ndryshme, përfshirë edhe Shqipërinë.
Në raportimet mediatike u pretendua se Sahin kishte ngritur ose financuar kompani të lidhura me sektorin e call center-ave dhe aktivitete të tjera biznesi në Shqipëri, ku vijoi të ushtronte ndikim edhe pasi ndaj tij ishin intensifikuar hetimet në Turqi. Po ashtu, u raportua se ai kishte përdorur kompani të regjistruara në Qipron Veriore me pronarë dhe administratorë formalë për të fshehur lidhjet me aktivitetet e mëparshme.
Por ndërsa stuhia kishte nisur në Turqi, Sahin ka vijuar i qetë aktivitetin e tij në Shqipëri. Madje pritet ta zgjerojë duke kaluar dhe në bastet online. Ndërsa së shpejti qeveria të do ta ligjërojë si aktivitet duke licencuar kompanitë e basteve online, Sahin si një ‘ujk I vjetër’ ka nisur punën për sigurimin e një prej pak licencave. Me sa duket nga Dubai, aty ku bastet janë haram, por që në Shqipëri janë ‘hallall’ njësoj si kullat dhe vilat e betonta. Por kë takoi Veysel Sahin për të çimentuar në duart e tij një licencë të florinjtë?! Versus.al

