Një 65-vjeçar është gjetur i pajetë këtë të diel në fshatin Qatrom, në qarkun e Korçës. Viktima u zbulua në një përrua të thatë, ndërsa në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimet e policisë dhe grupi hetimor.
Sipas të dhënave paraprake, nga këqyrja e parë e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune. Hetuesit dyshojnë se 65-vjeçari mund të ketë ndërruar jetë për shkaqe natyrale.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se viktima dyshohet të ketë qenë endacak, ndërsa po punohet për identifikimin e plotë të tij dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Trupi i pajetë është transportuar në morgun e Spitalit të Korçës, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore. Ndërkohë, grupi hetimor vijon veprimet për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.

