AKTUALITET /

“Mos i bëni çantat mbi 50 kg, po u bie të fikët njerëzve”, zbardhen bisedat e Eldi Dizdarit me furnizuesin e kokainës

Në komunikimet e zbardhura nga Sky ECC, Eldi Dizdari diskuton me furnizuesin kryesor të drogës, Salvatore Aliu, për mënyrën e transportit të sasive të mëdha të kokainës.

Shkruar nga Versus

“Mos i bëni çantat mbi 50 kg, po u bie të fikët

Komunikime të reja të zbardhura nga dosja hetimore e SPAK kanë hedhur dritë mbi mënyrën se si operonte një prej grupeve më të mëdha të trafikut ndërkombëtar të kokainës, që dyshohet se transportoi dhjetëra tonë drogë nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Në bisedat e zhvilluara në platformën e koduar Sky ECC, Eldi Dizdari, i njohur edhe me emrin Denis Matoshi, diskuton me furnizuesin e drogës Salvatore Aliu për logjistikën e transportit të sasive të mëdha të kokainës. Në një prej komunikimeve, Dizdari shprehet se skema dhe tregu janë gati për të përballuar edhe deri në 10 tonë kokainë, por kërkon që çantat me lëndën narkotike të mos peshojnë më shumë se 45-50 kilogramë.

“Për Zotin po thyhen në mes, ankohen gjithmonë. Po u bie të fikët kot”, shprehet ai, duke iu referuar personave që merreshin me shkarkimin e ngarkesave.

Nga ana tjetër, Salvatore Aliu i përgjigjet se do të përpiqet t’i mbajë çantat në peshën 50 kilogramë, ndërsa shpjegon se arsyeja pse ato bëheshin më të mëdha lidhej me mënyrën e pagesës në vendin e nisjes, e cila llogaritej sipas numrit të çantave të ngarkuara në kontenierë.

Hetimet kanë zbuluar edhe detaje mbi rrugët e trafikut. Aliu sugjeronte përdorimin e kontenierëve të kompanisë së bananeve “Dole”, ndërsa Dizdari këmbëngulte që pika tranzit të ishte porti i Anversit në Belgjikë, duke shmangur rrugët që sipas tij i nënshtroheshin kontrolleve më të shpeshta me skaner.

Në komunikime përshkruhet edhe metoda e përdorur për të fshehur gjurmët e ndërhyrjes në kontenierë. Sipas Aliut, brenda tyre vendosej një kopje e çelësit, e cila përdorej për t’i hapur dhe mbyllur sërish pa lënë shenja, duke e bërë të vështirë zbulimin e manipulimeve.

SPAK goditi pak ditë më parë grupin kriminal ku, sipas hetimeve, bënin pjesë Dritan Gjika, Salvatore Aliu dhe Eldi Dizdari. Organizata dyshohet se ka trafikuar të paktën 50 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt Europës.

Në kuadër të operacionit u lëshuan 10 masa sigurie, por vetëm Florjan Musaj u arrestua, pasi pjesa më e madhe e të dyshuarve ndodhen jashtë Shqipërisë. Gjithashtu, Prokuroria e Posaçme sekuestroi 491 pasuri me një vlerë të vlerësuar rreth 150 milionë euro.

.Versus.al

Poll