AKTUALITET /

Sulmi ndaj medias gjatë protestës tek Kryeministria, AGSH: Të respektohet siguria e gazetarëve

AGSH thekson se e drejta për të protestuar është një e drejtë themelore kushtetuese dhe se protestat paqësore përbëjnë një nga mënyrat kryesore të shprehjes së qytetarëve ndaj institucioneve

Shkruar nga Versus

Sulmi ndaj medias gjatë protestës tek Kryeministria, AGSH: Të

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka reaguar lidhur me incidentet e raportuara gjatë protestave të zhvilluara në kryeqytet, duke kërkuar marrjen e masave për garantimin e sigurisë së gazetarëve dhe ekipeve mediatike në terren.

Në një deklaratë publike, AGSH thekson se e drejta për të protestuar është një e drejtë themelore kushtetuese dhe se protestat paqësore përbëjnë një nga mënyrat kryesore të shprehjes së qytetarëve ndaj institucioneve.

Megjithatë, sipas organizatës, gjatë 22 ditëve të fundit të protestave në Tiranë janë regjistruar raste ku gazetarë, operatorë dhe ekipe mediatike janë përballur me sulme verbale, gjuhë fyese, intimidime dhe tentativa për sulme fizike gjatë ushtrimit të detyrës së tyre.

“Gazetarët nuk janë palë në protestë, por ndodhen në terren për të informuar publikun”, thuhet në deklaratë, ku nënvizohet se çdo pengesë apo kërcënim ndaj tyre përbën cenim të lirisë së medias dhe të drejtës së publikut për t’u informuar.

AGSH vlerëson se kritika ndaj medias është pjesë e debatit demokratik, por thekson se ajo nuk duhet të shndërrohet në sulme personale apo në përpjekje për të penguar punën e gazetarëve në terren.

Organizata u bën thirrje pjesëmarrësve dhe organizatorëve të protestave që të respektojnë punën e medias dhe të dënojnë çdo akt dhune apo intimidimi ndaj gazetarëve. Po ashtu, kërkohet nga Policia e Shtetit që të marrë masa konkrete për të garantuar sigurinë e ekipeve mediatike gjatë raportimeve.

Në përfundim, AGSH nënvizon edhe rëndësinë e respektimit të standardeve profesionale dhe raportimit të paanshëm nga mediat, si element thelbësor për ruajtjen e besimit të publikut dhe informimin e saktë të qytetarëve.

 

Poll