
Kukës- Një skandal është shënuar në gjykatën e qytetit verilindor ku një qytetar në mënyrë të paprecedentë është detyruar të luajë edhe rolin e avokatit pasi gjyqtarja Ajshe Xhafa urdhëroi përjashtimin e avokatit të tij nga salla e gjyqit.
Në audioregjistrimin e publikuar nga gazetari Bekim Lekica, tregohen momente tensioni dhe fjalori të rëndë mes gjyqtares dhe avokatit të palës paditëse gjatë seancës civile me objekt “dëmshpërblimin nga marrëdhënia e punës”.
Sipas gazetarit, gjyqtarja ka përdorur edhe fjalë fyese gjatë debatit me avokatin dhe më pas urdhëroi oficerin e policisë gjyqësore që ta nxirrte jashtë sallës avokatin. Ky i fundit u ka dërguar shkresë të gjitha institucioneve përkatëse duke theksuar se një situatë e tillë nuk i kishte ndodhur në 18 vite punë.
Postimi i plotë i gazetarit Bekim Lekica:
Skandal në Gjykatën e Kukësit: Gjyqtarja përjashton avokatin nga salla dhe e revokon nga çështja, pas debatit në seancë civile
Data e ngjarjes: 16 tetor 2025
Vendndodhja: Gjykata e Kukësit
Investigim nga: Bekim Lekica
Ngjarja
Një situatë e pazakontë dhe shqetësuese është regjistruar në Gjykatën e Kukësit gjatë një seance civile, ku një gjyqtare ka përjashtuar me urdhër të policisë gjyqësore një avokat nga salla e gjyqit, duke e revokuar më pas përfundimisht nga përfaqësimi i klientit të tij.
Ngjarja është e dokumentuar me audio-regjistrime të seancës
Seanca është zhvilluar më 16 tetor 2025, me objekt padie “dëmshpërblim nga marrëdhënia e punës”.
Gjyqtarja që drejtonte procesin, znj. Ajshe Xhafa, ka hyrë në debat të hapur me avokatin mbrojtës të palës paditëse, duke e akuzuar se “nuk po bënte mbrojtje efektive” dhe duke bërë komente paragjykuese për profesionin e tij dhe mënyrën si
“funksionojnë avokatët në Kukës”.
“E di shumë mirë si funksionojnë avokatët në Kukës… Mund të të ketë përdorur pjesën që jam nga Hasi”, dëgjohet të thotë gjyqtarja në regjistrim.
“Për çfarë punojnë avokatët atëherë?”, shton ajo në një moment tjetër.
Pas këtij debati, gjyqtarja ka urdhëruar punonjësin e policisë gjyqësore që të nxjerrë jashtë sallës avokatin, duke ndërprerë menjëherë përfaqësimin ligjor të qytetarit.
Revokimi i avokatit nga gjykata
Në vijim të seancës, gjyqtarja ka deklaruar se “revokon avokatin mbrojtës” dhe i ka kërkuar qytetarit të vazhdojë gjykimin pa avokat, pavarësisht kundërshtimeve të tij.
“Tash, përderisa ma përzune ti, a s’kam të drejtë ma e marrë avokatin që pata?”, pyet qytetari.
“Unë revokoj me vendim, revokoj”, përgjigjet gjyqtarja, duke i rënë tavolinës me stilolaps.
Ky veprim, sipas ekspertëve të drejtësisë, nuk ka asnjë bazë ligjore. Sipas Ligjit për Avokatinë (nr. 55/2018) dhe Kodit të Procedurës Civile, përfaqësimi nga një avokat është zgjedhje e lirë dhe ekskluzive e palës, dhe asnjë gjykatë nuk mund ta revokojë përveçse në raste papajtueshmërie ligjore të verifikuar.
Avokati kërkon mbrojtje dhe anonimitet
Pas ngjarjes, avokati ka depozituar ankesë urgjente pranë disa institucioneve:
Dhomës Kombëtare të Avokatisë
Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD)
Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ)
Ministrisë së Drejtësisë
Në ankim thuhet se gjyqtarja
“ka denigruar figurën e avokatit përpara palës që ai përfaqësonte”, “ka përdorur gjuhë paragjykuese dhe përçmuese” dhe “ka cënuar rëndë të drejtën e mbrojtjes së qytetarit”.
Për shkak të denigrimit publik dhe dëmit ndaj reputacionit profesional, avokati ka kërkuar që identiteti i tij të mos bëhet publik në media, duke theksuar se qëllimi i tij është vetëm informimi i institucioneve të drejtësisë dhe sensibilizimi për sjellje të papranueshme në sallat e gjyqit.
“Në 18 vite punë si jurist dhe avokat nuk më ka ndodhur kurrë një situatë e tillë. Jam i tronditur dhe i detyruar të kërkoj ndërhyrjen e institucioneve”, thuhet në ankesën që ai ka depozituar më 29 tetor 2025.
Gjyqtarja, më herët nën hetim disiplinor
Kjo nuk është hera e parë që emri i gjyqtares Ajshe Xhafa përmendet në lidhje me sjellje të papërshtatshme në ushtrimin e detyrës.
Në prill 2025, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ), pas një hetimi të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD), i ka dhënë asaj masën disiplinore “vërejtje publike”, për shkelje të rregullave të solemnitetit dhe marrëdhënieve profesionale me magjistratët e tjerë.
Vendimi është marrë pas një procesi verifikimi që nisi në shtator 2024.
Ky është rasti i dytë brenda këtij viti ku emri i gjyqtares Xhafa përmendet për sjellje që ngjallin debat publik dhe institucional mbi etikën në gjykata.
Institucionet pritet të nisin verifikimet për rastin e ri
Burime nga sistemi gjyqësor konfirmojnë se Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) se ka marrë dosjen ankimuese të çështjes dhe pritet të kërkojë zyrtarisht regjistrimet audio të seancës për të verifikuar nëse ka pasur shkelje disiplinore dhe etike nga ana e gjyqtares.
Nëse faktet provohen, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) mund të vendosë masa të reja disiplinore që variojnë nga “vërejtje e rëndë” deri në pezullim nga detyra.
E drejta për përfaqësim është e shenjtë
Juristët dhe përfaqësues të Dhomës së Avokatisë theksojnë se e drejta për përfaqësim ligjor është një nga shtyllat themelore të drejtësisë së drejtë dhe të paanshme.
Sipas nenit 42 të Kushtetutës dhe nenit 6 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, asnjë person nuk mund të detyrohet të përfaqësohet pa avokat në një çështje civile kur ai ka zgjedhur të ketë mbrojtje ligjore.
Ndërhyrja e një gjyqtari për ta penguar këtë të drejtë konsiderohet shkelje e rëndë e etikës profesionale dhe e pavarësisë së avokatisë. Versus.al
 
	                        
	                        
	                        
	                        
	                        
	                        
	                        
	                        
	                       
 
	                        
	                        
	                        
	                       