
Babai i Ervis Martinaj i zhdukur 3 vjet më parë ka pranuar për herë të parë se i biri i tij nuk jeton më.
Duke folur për procesin në GJKKO, ku Mustafa Martinaj dëshmoi këtë javë, gazetarja Klodiana Lala tha se i jati e di të vërtetën, madje njeh dhe ekzekutorin, pasi kanë kryer hetime private.
Duke iu referuar njeriut të fundit që shoqëroi Ervis Martinajn, Jeton Lami, gazetarja tha se ai i ka vizituar prindërit e Martinajt, gjë që është mbajtur e fshehtë prej tyre.
“Jeton Lami përpara se të arrestohej ka qenë në familjen e tyre.
Kjo nuk është pranuar nga familja, ndoshta nuk do të pranohet kurrë. Ata nuk kanë folur publikisht.
Unë kam kërkuar intervista prej tyre, nuk kanë pranuar. Unë mendoj që Jeton Lami e di të vërtetën. Jeton Lami është personi i cili po ashtu është takuar me Brilant Martinaj përpara se Brilanti dhe dy shokët e vet të ekzekutoheshin dhe fillimisht ata nuk kanë dyshuar, por më pas familja ka dyshuar dhe mendoj që ka hetuar privatisht për fatin e Ervis Martinajt.
Dhe familja ka bindje që Ervis Martinaj është vrarë, thjesht është në pamundësi për të gjetur trupin.
Unë besoj që familja Martinaj mund të ketë shumë më tepër informacion sesa ato çfarë ju kanë dhënë autoriteteve, edhe janë shumë të qartë se nga e kanë dhe kush janë grupimet kriminale sepse bëhet fjalë për disa grupime”, tha Lala.
Duke folur për fatin e bosit të lojërave të fatit, Klodiana Lala tha se ajo ka qenë e dyzuar por fakti se pas shumë pas shumë kërkimeve, pas investimit edhe të partnerëve të huaj, Ervis Martinaj nuk është gjendur dhe nuk ka asnjë shenjë nga ana e tij, do të thotë që ai mund të jetë rrëmbyer dhe të jetë vrarë.
Lidhur me procesin në Gjykatën e Posaçme, Lala tha se ai ka të bëjë me pasuritë e sekuestruara më shumë se një proces penal, ndërsa një pjesë e pasurive ajo shprehet se do të lirohen në përfundim të gjyqit, pasi kanë qenë nga burime të ligjshme.
“Mustafa Martinaj dëshmoi në Gjykatën e Posaçme. Në fakt, procesi ka të bëjë me pasuritë, nuk ka të bëjë me një proces penal; ka të bëjë me vendimin e SPAK për të sekuestruar pasurinë. Dhe zoti Martinaj pretendoi që pasuritë e tij, për shkak të aktivitetit të biznesit gati 30-vjeçar dhe faktit që ai ka punuar si drejtor banke ka patur ekskluzivitete të ndryshme, ka punuar si kambist e të tjera me radhë, pra ka pasur pika të këmbimit valutor. Pretendonte që pasuritë e tij rrjedhin nga burime të ligjshme.
Dhe unë besoj që disa nga pasuritë e familjes Martinaj, deri në përfundim të procesit, edhe do të lirohen. Patjetër që një pjesë, ku dyshohen që të jenë pasuri të vendosura nga aktiviteti kriminal i Ervis Martinajt, ndonëse ai nuk ka një vendim të formës së prerë dhe tashmë fati i tij mbetet mister, do të mbeten të sekuestruara. Pra ky është qëndrimi im në raport me këtë çështje”, tha Lala.
Sipas saj, pavarësisht se Ervis Martinaj ishte futur thellë në krim të organizuar, ishte një eksponent i krimit të organizuar dhe me përplasje shumë të forta në botën e krimit, në fakt familja e tij është një ndër familjet elitare në vend.
“Rrjedhin nga Mali i Zi, familje me shumë tradita, shumë të vendosur, të ashpër, mbështetës të Partisë Demokratike. Kjo duhet thënë, nuk ka asgjë të keqe në fund fare që ata e pranojnë këtë gjë edhe publikisht. Që kishin shumë biznese, ishin vendosur në zonën e Fushë-Kuqes.
Vetë Ervisi, sikurse tha babai ka qenë student në Itali. Nuk e përfundoi dot studimet sepse u kthye për shkak të motrave dhe nuk u diplomua, por e mbaroi thuajse të gjithë ciklin. Pra nuk ishte njeri që vinte nga bota e krimit dhe u ngjit. Pra Ervis Martinaj ishte e kundërta: vinte nga një familje e pasur dhe që shkoi për shkak se u fut në lojërat e fatit, pati dhe këto problematika dhe përplasje shumë të forta. Unë mendoj që babai e di të vërtetën e djalit të vet. Unë mendoj që familja e di edhe ekzekutorin”, tha ajo.

