Në media është publikuar së fundmi një audio e regjistruar në sallën e gjyqit (sipas ligjit) ku dëgjohet teksa prokurori i posaçëm I SPAK, Ols Dado ankohet për fushatën e lobimit të paguar nga Erion Veliaj në SHBA.
Regjistrimi tregon momentin kur prokurori pas përfundon parashtrimet e dosjes kundër Veliajt, e njeh trupën gjykuese me fushatën e paprecedentë të lobimit të financuar nga kryebashkiaku i burgosur.
“Jemi vënë në dijeni për një fushatë lobimi të shtetasit Erion Veliaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një fond financimi rreth 220 mijë dollarë”, dëgjohet mes të tjerash, të shprehet prokurori Ols Dado.
Vlen të theksohet se prokurori ka qenë në qendër të këtij lobimi, duke u akuzuar nga Erion Veliaj se çështjen e kishte personale me të. Prokurori i SPAK, i referohet burimeve të hapura, pra një dokumenti që është publikuar në media për këtë lobim.
‘’Në gjykimin tonë kjo fushatë lobimi e cila ka shkuar deri në nivelet më të larta politike administrative të Shteteve të Bashkuara nuk përbën një mbrojtje juridike për veprimtari të funksionit politik, synon deligjitimimin e organeve që po gjykojnë aktualisht çështjen dhe tregon vullnetin e të pandehurit për të shmangur procesin penal.
Pra, mbrojtja nga procesi penal dhe jo mbrojtja në procesin penal duket se është synimi kryesor I të pandehurit Erion Veliaj gjatë këtyre muajve të hetimit paraprak por dhe të gjykimit në seancë paraprake", shprehet më tej prokurori Ols Dado. Versus.al

