
Gati katër vite pas masakrës së rëndë në mbikalimin e Fushë-Krujës, ku humbën jetën Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha, hetimet e policisë dhe prokurorisë së Tiranës kanë zbuluar detaje të reja mbi automjetin e përdorur në krim.
Sipas burimeve hetimore, është identifikuar një shtetas nga Kosova, i cili ka sjellë nga Gjermania në Kosovë mjetin tip “Passat” që dyshohet se u përdor në atentatin e 17 korrikut 2022. Ky person ka deklaruar se makinën ia ka lënë babait të tij dhe më pas është larguar drejt Gjermanisë.
Nga ana tjetër, babai i tij ka pohuar se automjetin e ka shitur tek një shtetas shqiptar, identitetin e të cilit nuk ka mundur ta kujtojë. Shitja është kryer pa dokumentacion noterial, duke ngritur dyshime për tentativa të qëllimshme për të humbur gjurmët e pronësisë së mjetit.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se automjeti ka hyrë në territorin shqiptar në një datë të papërcaktuar dhe nga persona ende të paidentifikuar. Dyshohet se mjeti ka kaluar përmes pikës kufitare të Morinës pa u regjistruar në sistemin TIMS, ndërsa ka përdorur targa të vjedhura që i përkisnin një automjeti tjetër.
Pas marrjes në pyetje, shtetasi kosovar dhe babai i tij janë lënë të lirë, pasi ndaj tyre nuk është ngritur asnjë akuzë konkrete. Megjithatë, hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet ndodhen ende përballë vështirësive për të identifikuar personin që ka blerë makinën dhe e ka futur atë në Shqipëri.
Për këtë ngjarje janë marrë në pyetje edhe disa persona të dyshuar, mes tyre Jeton Lami, si dhe individë të tjerë me precedentë penalë. Disa prej tyre kanë pretenduar se në momentin e krimit ndodheshin jashtë vendit.
Masakra e 17 korrikut 2022 tronditi vendin, kur një automjet u qëllua me armë zjarri në lëvizje dhe më pas u dogj, duke lënë të vdekur tre të rinjtë. Sipas hetimeve, objektivi kryesor i atentatit dyshohet të ketë qenë Brilant Martinaj, i afërm i Ervis Martinaj.
Ndërkohë, disa emra janë përmendur si të dyshuar për përfshirje në këtë ngjarje, por deri më tani nuk ka asnjë person të arrestuar, duke e lënë një nga krimet më të rënda në vend ende pa autorë të ndëshkuar.

