
Hetimet për vrasjen e 14-vjeçarit në fshatin Pirg kanë zbuluar detaje të reja mbi dinamikën e ngjarjes.
Nga dosja hetimore mësohet se disa ditë para se të ndodhte krimi autori Eneido Guri ka shkuar me një mjet në fshatin Zvirinë dhe para lokalit të xhaxhait të viktimës ka xhiruar gomat dhe është larguar.
Ditën e ngjarjes viktima Erald Xhejo së bashku me një shok kanë shkuar në fshatin Pirg për tu qethur në berberhanë në afërsi të lokalit ku ndodhi vrasja.
Ata kanë parë autorin Eneido Guri duke kaluar me makinë dhe i kanë fishkëllyer me qëllim për t’u sqaruar.
Ai ka ndaluar ka dalë nga makina dhe kanë nisur në debatojnë ndërkohë që ka nxjerrë thikën.
Viktima në këto kushte ka marrë një karrige nga oborri i lokalit për tu vetëmbrojtur duke e vendosur përpara trupit por teksa bënte hapa pas është penguar dhe autori në atë moment e ka goditur me thikë.
E gjithë ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë së lokalit.
Tetë persona janë përfshirë në vrasjen e 14 vjeçarit.
Policia ka arrestuar autorin 14 vjeçar Eneido Guri, babain e xhaxhain e tij, 4 të mitur si dhe një 34 vjeçar.
Sipas detajeve të zbardhura, mësohet se babai e xhaxhai i autorit kanë fshehur thikën me të cilën u krye krimi i rëndë. 4 të miturit e arrestuar kanë qenë të pranishëm në vendngjarje, por kanë tentuar të fshehin ngjarjen në deklarimet e dhëna.
Ndërsa 34 vjeçari, tentoi ta largonte nga vendngjarja autorin pasi kishte kryer vrasjen e bashkëmoshatarit.
Vrasja ndodhi dy ditë më parë brenda një lokali ku dy të miturit kishin shkuar të “sqaroheshin” pas sherreve banale në rrjetet sociale./Versus.al







