
Policia e Fierit ka arrestuar Valbona Ramën, nënën e Emanilda Ramës, e cila u ndalua një ditë më parë si autore e dyshuar e vrasjes së babait të saj, Anesti Rama.
Ngjarja tronditëse, e ndodhur pak ditë më parë në Fier, ka marrë përmasa edhe më të rënda me daljen në dritë të detajeve të reja.
Sipas burimeve zyrtare të Policisë, Anesti Rama dhunohej prej kohësh nga bashkëshortja dhe e bija.
Ai ishte detyruar të jetonte në një dhomë të veçuar nga banesa, në të njëjtin oborr me familjen.
Fqinjët dhe të afërmit konfirmojnë se viktima, i cili punonte në një fermë blegtorale, shfaqej shpesh në punë me shenja dhune në fytyrë, të cilat i justifikonte si aksidente.
Tashmë nënë e bijë janë në pritje të masës së sigurisë, ndërkohë që kanë pranuar para grupit hetimor se e kanë kryer krimin.
Sipas Policisë, Emanilda e ka mbytur të atin me tel në qafë dhe më pas e ka zhvendosur trupin në banjë, ku i ka dëmtuar edhe organin gjenital.
Hetuesit kanë ngritur dyshime për një motiv të mundshëm seksual, por vajza nuk ka pranuar që babai ta ketë ngacmuar ndonjëherë.
Ndër vite, konflikti në familjen Rama ishte i njohur për komunitetin. Policia kishte ndërhyrë disa herë për të qetësuar situatat e tensionuara, por nuk ishte marrë asnjë masë parandaluese serioze. Aktualisht, hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e kësaj vrasjeje makabre./Versus.al







