AKTUALITET /

“Djali nuk ha dot kotoleta pule...”, shqiptari fiton të drejtën për të qëndruar në Britani pas betejës ligjore

Një shqiptar në Britani shmang deportimin pas vendimit të gjykatës, ku u morën në konsideratë nevojat specifike të djalit të tij 11-vjeçar dhe e drejta për jetën familjare.

Shkruar nga Versus
“Djali nuk ha dot kotoleta pule...”, shqiptari fiton të
Klevis Disha

Një emigrant shqiptar ka arritur të shmangë deportimin nga Britania e Madhe, pas një procesi të gjatë gjyqësor ku në qendër të vendimit u vendosën arsyet humanitare dhe mirëqenia e familjes së tij.

Klevis Disha, 39 vjeç, kishte hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2001, kur ishte vetëm 15 vjeç.

Ai kërkoi azil duke pretenduar një identitet tjetër, por kërkesa iu refuzua. Pas një procesi apelimi që zgjati disa vite, në vitin 2005 ai arriti të sigurojë leje qëndrimi të përhershme.

Një vit më vonë, Disha krijoi familje me një partnere me origjinë shqiptare dhe sot janë prindër të dy fëmijëve.

Megjithatë, problemet ligjore për të rinisën në vitin 2017, kur u dënua me dy vite burg pasi u kap me 250 mijë paund të pajustifikuara, të konsideruara si të ardhura kriminale. Sipas ligjit britanik, ky dënim e ekspozonte ndaj deportimit automatik.

Në vitin 2019, autoritetet nisën procedurat për dëbimin e tij, por çështja u rikthye në gjykatë. Në qershor 2024, një gjyqtar vendosi që ai nuk duhet të deportohej, duke u mbështetur në të drejtat e njeriut dhe jetën familjare.

Vendimi u apelua nga Ministria e Brendshme, por pas dhjetëra seancave që zgjatën mbi një vit, gjykata vendosi përfundimisht në favor të Dishës.

Një nga arsyet kryesore ishte situata e djalit të tij 11-vjeçar, i cili ka vështirësi të theksuara me ushqimin dhe ndjek një dietë shumë të kufizuar.

Sipas mbrojtjes, fëmija nuk arrin të konsumojë ushqime jashtë Britanisë, përfshirë edhe “kotoletat e pulës”, për shkak të ndjeshmërisë ndaj teksturës. Edhe pse nuk ka një diagnozë formale për autizëm, gjykata pranoi se ai ka nevoja specifike që kërkojnë vëmendje të veçantë.

Gjykatësi Veloso arriti në përfundimin se deportimi i Dishës do të ishte “tepër i ashpër” për fëmijën, i cili do të përballej me zgjedhjen mes largimit në Shqipëri apo qëndrimit në Britani pa të atin.

Në vendimin përfundimtar, gjykata theksoi se mbrojtja e jetës familjare, sipas Nenit 8 të Aktit për të Drejtat e Njeriut, duhet të ketë përparësi në këtë rast, duke i dhënë dritën jeshile shqiptarit për të vijuar qëndrimin në Mbretërinë e Bashkuar./Versus.al

Poll