
Pavarësisht se asnjë emigrant i paligjshëm nuk është aktualisht i strehuar në qendrat e ngritura në Gjadër dhe Shëngjin, kryeministrja italiane Giorgia Meloni u shpreh e bindur se marrëveshja e firmosur me Shqipërinë, do të funksionojë.
Në një intervistë për median italiane “Quarta Repubblica”, Meloni tha se ka zgjidhje edhe për vendimin e gjykatës për t’i kthyer në Itali emigrantët e dërguar në bregdetin shqiptar.
Meloni: Marrëveshja me Shqipërinë do të funksionojë. Unë nuk marr impenjime që nuk mund t’i mbaj dot.
Gazetari: Po gjyqtarët nuk i lejojnë emigrantët të ikin atje.
Meloni: Mos u shqetëso. Ka zgjidhje, po punojmë. Projekti i Shqipërisë sipas meje duhet të funksionojë. Po punojë që të funksionojë.
Ajo e cilësoi si “projekt inovativ” duke theksuar se ka marrë vëmendje nga të gjitha vendet në Bashkimin Evropian sa i takon metodave të reja të menaxhimit të flukseve migratore.
“Për mendimin tim, projekti shqiptar duhet të funksionojë dhe unë do të bëj gjithçka që duhet të bëj për ta realizuar atë. Besoj se është një projekt absolutisht inovativ dhe nuk është rastësi që i kushtohet vëmendje pothuajse nga të gjitha vendet në Bashkimin Evropian, është një ndryshim total në menaxhimin e flukseve migratore, ka zgjidhje për ta bërë atë të funksionojë”, u shpreh Meloni.
Ndër të tjera kryeministrja italiane tha se ishte e vetëdijshme për pengesat që do të haseshin në rrugën për të zgjidhur çështjen e emigracionit.
“Unë kisha marrë parasysh se do të më duhej të punoja tre herë më shumë se paraardhësit e mi për të arritur rezultate. Jam i pajisur, e dija, veçanërisht për emigracionin, sepse e dija që do të kishte kundërshtime shumë të gjera. E dija që do të kisha hasur në shumë pengesa, kjo që po shohim, e dija që shumë nuk do të ishin dakord me këto iniciativa, pas së cilës mendoj se nuk duhet të ndalemi para pengesave që ne hasim dhe prandaj vazhdoj të kërkoj dhe do të gjej zgjidhje, marrëveshja me Shqipërinë do të funksionojë”- deklaroi shefja e ekzekutivit italian.
Aktualisht dy qendrat për pritjen e emigrantëve në Gjadër dhe Shëngjin, vijojnë të jenë të hapura pavarësisht se nuk ka asnjë emigrant të paligjshëm që po qëndron aty. Ndërkohë, personeli italian i reduktuar po pret vendimin e drejtësisë në lidhje me këtë marrëveshje kaq të përfolur. Deri më tani janë realizuar dy lundrime të pasuksesshme ku transpotoheshin fillimisht 16 dhe më pas 8 emigrantë të cilët më pas u kthyen sërish në Itali.
Marrëveshja po cilësohet nga disa protestues italianë si e padobishme. Për këtë pati edhe një protestë të zhvilluar të hënën para kryeministrisë nga të rinj evropianë të cilët pretenduan se një marrëveshje e tillë për emigrantët shkel në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut. Versus.al








