"Do të të dërgoj një puthje me erën dhe e di që do ta ndjesh, do të kthehesh pa më parë, por unë do të jem aty,".
Me këto fjalë prekëse, prindërit e Ilarias – nëna Gëzime dhe babai Flamur Sula – përkëdhelin me dashuri fotografinë e vajzës së tyre të shtrenjtë, e cila u vra në moshën 22-vjeçare nga ish-partneri i saj, Mark Samson.
Ai fshehu trupin e saj në një valixhe që më pas e hodhi në një greminë mes pyjeve të malit Guadagonesina dhe Capranica Prenestina.
Pikërisht në këtë vend, u përurua një përkujtimore për Ilarian, e ndërtuar me përkushtim nga prindërit e saj si një simbol dashurie dhe dhimbjeje të pafund.
Krimi që tronditi jo vetëm qytetin e Ternit, ku familja Sula jeton prej shumë vitesh, por edhe mbarë opinionin publik në Itali dhe në Shqipëri, ka lënë pas një plagë të thellë.
Në ceremoninë mori pjesë edhe kryetari i bashkisë së Capranica Prenestina, Francesco Colagrossi, i cili shprehu mirënjohjen dhe solidaritetin e komunitetit lokal.
Fotoja e saj na tregon një vajzë plot jetë dhe buzëqeshje, në vitet më të bukura të jetës – ato të ëndrrave dhe shpresave – që u ndërprenë në mënyrë absurde dhe të pakuptueshme nga dhuna, shkruan media italiane Il Messaggero.
Vendndodhja e monumentit, nga ku mund të admirohet bukuria e natyrës dhe pamja që shkon deri në det në ditët më të kthjellëta, është menduar si një hapësirë reflektimi – për kuptimin e jetës, për vlerat e saj, dhe për mënyrën si duhet të mbrohemi nga dashuritë e sëmura e shkatërruese.
Babai i Ilarias ka bërë dhe një dedikim prekës për të bijën, pasi ajo sot do festonte ditëlindjen e saj të 23-të.
“Ke qenë dhurata ime më e bukur, gëzuar ditëlindjen princesha ime! Më mungon shumë,”- shkroi babai i Ilarias në rrjetet sociale, ndërsa ka publikuar edhe disa foto teksa lëshojnë në qiell tullumbace të bardhë./Versus.al







