AKTUALITET /

Dosja e hetimit/ Si bashkëpunojnë mafia shqiptare dhe Ndrangheta në trafikimin e tonelatave të drogës: Kush është 40 vjeçari shqiptar në qendër të rrjetit mafioz në Itali

Media Corriere Calabria i ka kushtuar një artikull hetimeve të fundit të drejtësisë italiane që kanë zbuluar lidhje të forta midis ‘ndranghetës kalabreze dhe organizatave kriminale shqiptare, të përfshira në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Shkruar nga Versus

Dosja e hetimit/ Si bashkëpunojnë mafia shqiptare dhe Ndrangheta

Media Corriere Calabria i ka kushtuar një artikull hetimeve të fundit të drejtësisë italiane që kanë zbuluar lidhje të forta midis ‘ndranghetës kalabreze dhe organizatave kriminale shqiptare, të përfshira në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Media italiane shkruan se një ekziston rrjet i komplikuar që përfshin trafikimin e sasisë së madhe të kokainës, hashashit dhe marijuanës, ku shqiptarët luajnë një rol kyç si organizatorë dhe brokerë të trafikut.

Në artikull thuhej se Saimir Bilacaj, është një nga figurat kryesore shqiptare në këto operacione, dhe është identifikuar si drejtues dhe financues i këtij rrjeti kriminal që lidh Amerikën e Jugut me Evropën përmes porteve strategjike si ajo e Gioia Tauro-s në Itali.

Artikulli i plotë i Corriere Calabria:

Lidhjet e forta mes 'Ndranghetas dhe grupeve shqiptare në trafikun e drogës janë zbuluar në faqet dosjes së hetimit të operacionit "Arangea bis" të Prokurorisë Antimafia të Reggio Calabrias (DDA)

Dosja zbulon një organizate "të qëndrueshme dhe mirëstrukturuar në trafikun e drogës, kokainë, hashash dhe marijuanë që sigurohej nga Amerika e Jugut (Ekuador) dhe Evropa (Spanjë, Gjermani, Holandë, Belgjikë, Shqipëri),

Në bisedat e përgjuara, të dyshuarit shpesh i referohen Shqipërisë. Në një bisedë që daton tetor 2020, evidentohet "linja transnacionale që ndjekin të dyshuarit për të siguruar drogën". Kjo ndodh kur Santoro Rosaci i propozon Antonio Gullì-t të blejë marijuanë që vjen nga Shqipëria. Sasia e drogës që posedonin trafikantët shqiptarë rezulton të jetë 3 tonë: "Nëse do, në Shqipëri kanë 3 mijë kg".

Brokeri shqiptar

Në dosje  spikat emri i  Saimir Bilacaj (lindur më 1985). Hetuesit e konsiderojnë atë "promotor, drejtues, organizator dhe financues të shoqatës" kriminale.

Sipas akuzës, Bilacaj, së bashku me Antonio Gullì, "financonte dhe organizonte, në të gjitha aspektet e saj, importet e kokainës nga Amerika e Jugut në portin e Gioia Tauro". Ai jepte udhëzime bashkëpunëtorëve, duke përcaktuar kohën, sasinë dhe mënyrën e importit. Ishte ai, bashkë me Gullì-n, që ndiqte fazat e ndryshme të ngarkimit të kokainës, transportit në det dhe nxjerrjes së saj nga porti kalabrez. Përveç kësaj, ai menaxhonte edhe "dorëzimin e parave që vinin nga transaksionet e paligjshme te individë me origjinë kineze, të ngarkuar me riciklimin e tyre".

Lidhjet mes 'Ndranghetas dhe Mafias Shqiptare: Roli i Saimir Bilacaj

Në kuadër të hetimit italian, veçanërisht në lidhje me figurën e Saimir Bilacaj, urdhri i DDA-së (Drejtoria Distriktuale Antimafia) referon hetime të Prokurorisë së Milanos që zbulojnë lidhje të ngushta mes 'Ndranghetas (mafias kalabreze) dhe një organizate shqiptare. Kjo organizatë shqiptare është një degëzim i strukturës kriminale mafioze e njohur si "Kompania Bello" ( Sipas të dhënave, kjo e fundit "ka operuar në formë të konfederuar me grupet kriminale" kalabreze.

Hetimet kanë treguar se "kanali i furnizimit drejtohet nga një grup shqiptar, përgjegjësit e të cilit janë pozicionuar në pika strategjike për kontrollin e narkotrafikut botëror". Në veçanti, një prej përgjegjësve kryesorë të këtij grupi furnizues ishte pikërisht Saimir Bilacaj. Ai, nga Valencia, kontrollonte dërgesat e kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës, si dhe transferimin e saj të mëpasshëm në tregjet evropiane.

Bilacaj, sipas hetuesve, ka lidhje me Davide Flachi, bosi i "Comasina"-s, i cili thuhet se i ka njohur atij titullin e "njeriut të nderit". Në hetimet e Milanos, përveç Bilacajt, është përfshirë edhe një tjetër broker shqiptar. Hetuesit besojnë se të dy operonin në Amerikën Latine, ku janë aktivë në pika kyçe të vendeve prodhuese të kokainës si Kolumbia, Bolivia dhe Peruja. Mbi të gjitha, ata janë aktivë në qytetet ku ndodhen portet ndërkontinentale, të përdorura për transferimin e drogës me anë të kontejnerëve, si Guayaquil, Panama dhe Turbo (në Kolumbi).

Përmbajtja e një bisede chat është veçanërisht domethënëse, ku një nga të dyshuarit, në lidhje me grupin ballkanik, shprehet: "Pastaj janë këta shqiptarët... Tashmë i kanë shtënë në dorë gjithçka... Vëlla, janë kudo... Janë të zotë... Në Amerikën e Jugut janë ata tani." Kjo dëshmon për shtrirjen dhe ndikimin e konsiderueshëm të mafias shqiptare në skenën e trafikut ndërkombëtar të drogës.

 

Poll