
Pas prokurorit të përgjithshëm Olsian Çela, edhe kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia është shprehur kundër draftit të kodit të ri penal të propozuar nga ministria e Drejtësisë.
Sipas Haxhisë, kodi është represiv dhe bie ndesh me të drejtat e njeriut dhe sipas tij në asnjë mënyrë nuk do të dakordësohet nga Brukseli.
“Kodi që lamë pas në kohën e diktaturës po ta krahasojmë me dënimet ka dënime represive... Nuk ka logjikë që ta pranojë që një kod i tillë i cili është inkuizitor, me dispozita marramendëse, me dënime marramendëse, me teknikë juridike që s’e pranon asnjë mendje profesionale që të jetë ky një draft që do ta pranojë Europa. Ky në të gjithë aspektin e vet është në diskordancë me legjislacionin penal europian”, tha Haxhia.
Avokati shtoi se aktualisht, vendi nuk ka nevojë për një kod të ri dhe shtoi se nuk e di cilët kanë qenë ekspertët që e kanë përpiluar draftin.
“Në këtë Kod nuk kemi asnjë prezencë të paraqitjes së nevojës pse duhej të bëhej ky kod. Nëse do shtrohej problemi që këtë kod e solli nevoja e reformës në drejtësi, kjo nuk qëndron. Në këto vite, zbatimi ka sjellë probleme në procedurën penale, pra në trajtimin e proceseve dhe burimet njerëzore që janë shumë të mangëta. Duhet që të jenë të gjithë aktorët e drejtësisë. Kodi Penal nuk mund të riparohet në këtë mënyrë siç bëjnë ata. Vetëm në Shqipëri ndodh që Kodi Penal, ndryshohet, shfuqizohet, nene të caktuara, shtohen me VKM. Kodi është monopol i Ministrisë së Drejtësisë, i kodifikimit. Ka një drejtori që duhet të ketë personalitetet më të larta të jurispuridencës”, tha Haxhia.
Në përfundim, Maks Haxhia tha se kodi penal në asnjë mënyrë nuk duhet të kalojë në Kuvend duke thënë se ka nene tepër diskriminuese edhe për avokatët. Versus.al







