AKTUALITET /

Drejtonte trafikun e drogës në Itali, kush është shqiptari i arrestuar si 'truri' i klanit mafioz (EMRI)

Kokainë, marrëveshje me vlerë qindra mijëra euro dhe diskutime që përfshijnë krerët e mafias së Foggias. Përgjimet e Shaban Shimës janë në qendër të hetimit që ka çuar në 24 arrestime.

Shkruar nga Versus
Drejtonte trafikun e drogës në Itali, kush është shqiptari i
Shaban Shima dhe njëri prej italianëve të përfshirë në bandat e drogës

Ditën e djeshme autoritetet italiane goditën një grup itali-shqiptar që merrej me trafikun e lëndëve narkotike. Sot janë zbuluar detaje të reja lidhur me goditjen e grupit që mësohet se drejtohej nga një shqiptar i identifikuar si Shaban Shima, 36 vjeç.

Shqiptari u kap teksa ishte në një klub nate në Foggia ku po diskutonte një marrëveshje droge me Rocco Soldo, i cili ende nuk është arrestuar.

"Nuk jam unë, figurat e mëdha të Foggias po më kërkojnë, ju po lexoni lajmet, të gjithë po më luten, dhëndri i Pasquales, klani Trisciuoglio... ajo që po ndodh në Cerignola është vërtet e neveritshme."- thuhet në disa prej përgjimeve të zbardhura të Shimës.

Biseda, sipas prokurorisë, ofron një pamje të nivelit të trafikut të drogës dhe lidhjeve me qarqet kriminale të nivelit të lartë. Bisedat u kapën në klubin "La Banda" në Piazza Padre Pio në Foggia, një vend që hetuesit besojnë se mund të jetë i lidhur me Soldon dhe Tolonesen.

Kontaktet e tyre të besuara menaxhonin depot e drogës, transferimin e narkotikëve dhe ishin përgjegjës për përgatitjen e dërgesave që do t’u dorëzoheshin klientëve, duke marrë të ardhurat nga shitjet.

Disa nga të dyshuarit ishin të punësuar zyrtarisht si shoferë furgonësh/korrierë për “kompani transporti rrugor të mallrave për palë të treta” dhe e shfrytëzuan këtë punë për të simuluar shpërndarjen e produkteve duke përdorur qese plastike transporti për të fshehur sasitë e drogës që do t’u dorëzoheshin klientëve.

Hetimi nisi nga DDA e Barit, ndaj Anna Tolonese, motrës së Raffaele Tolonese, e cila ishte nën hetim për krimin e fajdesë dhe u arrestua në shtator 2024. Krimi preku qytetin e Foggias, provincën përkatëse dhe disa zona të Italisë qendrore dhe veriore, duke përfshirë Emilia-Romagnan, Rietin dhe Molisen. Të përfshirë në aktivitetet kriminale ishin shtetas italianë, shqiptarë, gjeorgjianë dhe rumunë.

Gjyqtarja hetuese Marialuisa Bencivenga, duke pranuar kërkesat e prokurorit Alessio Marangelli, urdhëroi burgimin e 19 personave dhe arrest shtëpiak për 5 të tjerë. Në total, 35 persona janë nën hetim. Arrestime përfshinin, përveç Shimës, Marzio Padalino, Paolo Padalino i njohur si “Xhaxhai”, Alessio Lioce i njohur si “Pupo”, Savino Defazio, Vincenzo Gemma, Massimo Soccio dhe disa qytetarë shqiptarë nga Parma, Langhirano, Foggia dhe Rieti, si dhe disa rumunë, një grua gjeorgjiane dhe një grua moldave.

Në një bisedë përgjuar mes Shimës dhe një miku të tij, dalin në pah lidhjet me klanin Moretti-Pellegrino-Lanza dhe aleatët e tyre: Duhet të më lini një takim me ta, me vajzën e xhaxhait tim, Anna Rita Moretti, vajzën e Rocco Moretti-t.

Shima përgjigjet: Vëlla, mund ta shoh atë vajzë kur të dua. Gjithmonë e shoh dhëndrin e djalit të xhaxhait tim, Pasquale Nardellan, dhëndrin e Pasquale Moretit.

Gjyqtari hetues e identifikon Shaban Shimën si “forcën lëvizëse pas një rrjeti të gjerë trafikimi kokaine me seli në Foggia”. Ai dyshohet se blinte drogën me shumicë dhe e rishiste me çmime të fryra, duke përdorur depo, ambiente paketimi dhe sisteme të sakta kontabël për furnizimet dhe të ardhurat.

Sipas raportimeve të karabinierëve, grupi përdorte makina me ndarje të fshehta, kriptofona dhe kanale të provuara për të transferuar të ardhurat në Shqipëri, duke shfrytëzuar shoferë autobusësh dhe kamionistë. Ky sistem u bë i qartë kur në janar u sekuestruan 40,000 euro para të gatshme në një pikë ndalimi përgjatë Rrugës Shtetërore 16.

Një nga sekuestrimet e rëndësishme përfshinte 2 kilogramë kokainë nga Bolivia, e cila u konstatua se ishte 96% e pastër nga analizat laboratorike të karabinierëve. Versus.al

Poll