AKTUALITET /

''Dua të di se kush po e mban shpatën e drejtësisë'', deklarata e Veliajt: Më është kontrolluar çdo qoshe e jetës time

Shkruar nga Versus

''Dua të di se kush po e mban shpatën e

Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj gjatë deklaratës së tij para trupës së gjykatës Administrative ku shqyrtohet padia e tij ndaj Ols Dados, tha se i ishte pamundësuar aksesi në dosje dhe në përgjimet që i ishin bërë gjatë hetimeve.

Ndërsa pretendoi se edhe gjatë këtij procesi ndodhet në një paradoks ku sipas tij edhe SPAK kërkon që gjykata të mos e shqyrtojë pretendimin e tij në themel. Sipas Veliajt, ai po kërkon të dijë se me çfarë legjitimiteti prokurorët i kanë kontrolluar jetën private.

Pjesë nga deklarata e Veliajt:

Mua nuk më lejohet të kem akses të plotë dhe real në dosje. Nuk më lejohet të dëgjoj të gjitha përgjimet e kryera ndaj meje. Nuk më lejohet komunikimi me avokatët e mi ndërkombëtarë. Nuk më lejohet të informoj opinionin publik shqiptar dhe ndërkombëtar mbi natyrën reale të kësaj çështjeje. Sigurisht, nuk më lejohet as ushtrimi i mandatit që qytetarët e Tiranës më kanë besuar. Pra, ndërsa mbi mua ushtrohet çdo kufizim që mund t’i ushtrohet një qytetari, njëkohësisht bëhet gjithçka që unë të mos mund të ushtroj në mënyrë efektive ato të drejta që vetë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë m’i garanton. Dhe sa herë që përpiqem të ushtroj një prej këtyre të drejtave, krijohen pengesa të reja proceduriale, të cilat jo vetëm e bëjnë ushtrimin e tyre gjithnjë e më të vështirë, por përdoren më pas edhe kundër meje, për të justifikuar cenime të mëtejshme të lirisë sime personale. Vetë ky gjykim, ku ndodhemi sot, është një tjetër provë e këtij paradoksi absurd. Sepse edhe sot pala përballë, në thelb, nuk kërkon që gjykata të shqyrtojë pretendimin tim në themel. Kërkon që gjykata të mos hyjë fare në themelin e çështjes. Kërkon që Ju, zoti Gjyqtar, të mos shqyrtoni ligjshmërinë e pushtetit që është ushtruar mbi mua dhe mbi institucionin që unë përfaqësoj. Dhe kjo është ajo që e bën këtë çështje shumë më të rëndë sesa një debat procedural.

Sepse në thelb të pretendimit që paraqitet përpara Jush qëndron ideja se unë nuk paskam të drejtë t’i kërkoj gjykatës kontrollin e ligjshmërisë së autoritetit që më hoqi lirinë personale; të autoritetit që më vendosi në përgjim; që kontrolloi jetën time private dhe 3 të familjarëve të mi; të autoritetit që hyri në çdo dimension të jetës sime personale dhe institucionale. Pra, pushteti mund të hyjë në çdo qoshe të jetës së qytetarit, por qytetari nuk paska të drejtë të pyesë: “Me çfarë legjitimiteti po ushtrohet ky pushtet mbi mua?”. Pra, pushteti mund të ndërhyjë mbi mandatin e një kryetari bashkie edhe në kundërshtim me kufijtë që vendos vetë ligji, por kryetari i zgjedhur nuk paska të drejtë të pyes: “Me çfare legjitimiteti po ushtrohet ky pushtet mbi bashkine dhe mbi kete qytet”? Dhe pikërisht këtu qëndron absurdi më i madh i kësaj çështjeje. Unë kam bërë një padi përpara Jush. Një padi që nuk është asgjë tjetër veçse ushtrimi i një të drejte që njerëzimi e ka njohur që në lindjen e qytetërimit; nga kodet e Hamurabit deri te Kanuni i Lekë Dukagjinit: e drejta e njeriut për t’iu drejtuar një gjykimi të paanshëm dhe për të kërkuar drejtësi. As këtë nuk duan të ma lejojnë. Si i padituri Dado, ashtu edhe vetë KLP autoriteti që duhej të kishte garantuar ligjshmërinë e ushtrimit të këtij funksioni publik, sot pretendojnë se unë nuk legjitimohem t’i drejtohem gjykatës për të kërkuar kontrollin e këtij autoriteti. Sepse sipas kësaj logjike, qytetari mund të hetohet, të survejohet, të arrestohet, të izolohet dhe të kontrollohet në çdo aspekt të jetës së tij personale, familjare dhe publike; një kryetari bashkie 4 mund t’i ndërpritet ushtrimi i mandatit të dhënë nga qytetarët; qytetarëve mund tu merret nga zyra kryetari i zgjedhur prej tyre, por në momentin që ata i drejtohen gjykatës për të kërkuar verifikimin e ligjshmërisë së autoritetit që ushtron këtë pushtet, atëherë ai nuk konsiderohet më subjekt i mbrojtjes së ligjit, por rrezik për drejtësinë vetë.  Pra, qytetari mund t’i japë drejtësisë shpatën e pushtetit për të vepruar në emër të tij, por nuk paska të drejtë të pyesë se kush po e mban atë shpatë, me çfarë legjitimiteti e mban dhe në emër të kujt po e përdor kundër tij.  Versus.al

Poll