Një aksident tragjik tronditi Gramshin pasditen e djeshme në aksin Kabash-Poroçan ku humbi jetën infermierja e zonës Dëshira Hoxha dhe u plagosën 2 persona të tjerë.
Pranë fshatit Bardhan, kamioni ku infermierja udhëtonte së bashku me mësuesen Albana Boja, doli nga rruga dhe përfundoi në humnerë. Forcat zjarrfikëse të Gramshit kanë zbuluar kushtet ekstreme me të cilat u përballën gjatë ndërhyrjes në përpjekje për të shpëtuar jetën e tre personave që gjendeshin në kamion.
Duke e konsideruar si një ndër operacionet më të dhimbshme, zjarrfikësit tregojnë se u desh të pritej një pjesë e kabinës pas një ore përpjekjesh për të nxjerrë 3 personat. Në fund u pa se infermierja kishte ndërruar jetë.
“Ditën e djeshme, shërbimi ynë zjarrfikës u përball me një nga operacionet më të vështira dhe më të dhimbshme në rrugën Gramsh-Poroçan. Një kamion me tonazh të lartë kishte dalë nga rruga dhe ishte rrokullisur në një shpat pylli me pjerrësi të madhe, duke sfiduar çdo përpjekje njerëzore për të fituar kohë ndaj fatit. Brenda mjetit ndodheshin tre jetë: shoferi, një mësuese dhe një infermiere.
Mes terrenit të ashpër, heshtjes së rëndë dhe minutave që dukeshin si orë, filloi beteja për t’i nxjerrë një nga një. Fillimisht u shpëtua mësuesja dhe u nis me urgjencë drejt spitalit. Më pas, pas më shumë se një ore përpjekjesh të pandërprera, duke prerë pjesë të kabinës mes llamarinave dhe hekurit të shtrembëruar, u nxor edhe shoferi.
Së fundmi, sytë dhe shpresat u drejtuan tek infermierja, e mbetur në një pozicion tepër të vështirë. U gërmua nga poshtë kamionit, me duar që dridheshin nga lodhja dhe zemra që rrihte fort nga shpresa. Por për fat të keq, ajo u gjet pa shenja jete. Një humbje që na preku të gjithëve”, thuhet në reagimin e Shërbimit Zjarrfikës të Gramshit. Versus.al

