
Dy të rinj janë vënë në pranga pas ngjarjes së ndodhur një ditë më parë në zonën e Kombinatit, ku u qëllua me armë zjarri ndaj një automjeti.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, i arrestuari kryesor është Oltjon Asllani (i njohur edhe si Vodollari), 28 vjeç, i cili hapi zjarr ndaj makinës ku ndodheshin dy persona, pas një konflikti me ta.
Në pranga ka përfunduar edhe shoku i tij, 30-vjeçari Serxho Bajza, që drejtonte automjetin nga ku u qëllua.
Ndërkohë, në hetim janë përfshirë edhe katër persona të tjerë me inicialet R. K., Zh. K., F. K. dhe B. M., të cilët, sipas policisë, kishin pasur një përplasje fizike me dy të arrestuarit, që më pas u përshkallëzua në përdorimin e armës.
Fatmirësisht, nga të shtënat nuk ka pasur të lënduar, por vetëm dëme materiale. Pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë në zonë e tregojnë Oltjon Asllanin teksa zbret nga makina duke mbajtur një kallashnikov në dorë.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të veprimeve hetimore për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, rreth orës 12:10, në Kombinat, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të automjetit me të cilin lëviznin shtetasit R. K., 38 vjeç, dhe Zh. K., specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Forcat Operacionale të DVP Tiranë dhe me Komisariatin e Policisë Nr. 6, në kuadër të operacionit “Quick Response”, kapën dhe vunë në pranga shtetasit:
• O. A(V)., 28 vjeç
• S. B., 30 vjeç, të dy banues në Kombinat
Gjithashtu, u proceduan penalisht shtetasit R. K., Zh. K., F. K. dhe B. M.
Nga hetimet paraprake ka rezultuar se 4 shtetasit e proceduar penalisht janë konfliktuar fizikisht me 2 autorët e ngjarjes.
Pas konfliktit, për motive të dobëta, shtetasi O. A(V). ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të 38-vjeçarit, ndërsa shtetasi S. B. drejtonte automjetin nga ku qëlloi me armë zjarri 28-vjeçari.", njofton policia.
View this post on Instagram







