Një bos droge shqiptar, pjesë e një prej rrjeteve më të mëdha të trafikut të kokainës në Britani, ka folur për herë të rrallë në mënyrë anonime për gazetën britanike Daily Mail, duke zbuluar pse, sipas tij, policia britanike nuk do të mundë kurrë të shkatërrojë përfundimisht bandat shqiptare.
Sipas rrëfimit të tij, strategjia e strukturave mafioze shqiptare është ndërtuar në mënyrë që edhe nëse arrestohet një anëtar i rëndësishëm, grupi nuk ndalet. “Një arrestim nuk do të thotë fundi i një qelize kriminale”, tha ai, duke shpjeguar një praktikë të njohur si “shitja e punës”, ku telefoni i një të arrestuari shitet me të gjithë kontaktet për deri në 100 mijë paund, për të vazhduar trafikun pa ndërprerje.
Rrënjët dhe ngritja e një rrjeti të pamëshirshëm
Që nga fundi i viteve ‘90, bandat shqiptare kanë krijuar një rrjet të gjerë dhe shumë të sofistikuar trafiku droge në Itali, Spanjë, Belgjikë dhe Holandë. Në fund të viteve 2000, ato u shfaqën fuqishëm në Britani, duke përdorur parimin: “shit më lirë, shes më shumë.”
Me kokainë më të pastër dhe më të lirë, shqiptarët arritën të dominojnë tregun e rrugës në qytete si Portsmouth, Bournemouth, dhe më gjerë. “Në vitin 2010, ne e ulëm çmimin për një kilogram kokainë nga 35 mijë paund në 30 mijë. Ishte revolucion në atë kohë,” tha trafikanti.
Një rrjet që riorganizohet vazhdimisht
Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA), bandat shqiptare janë ndër më të rrezikshmet dhe më të organizuarat në Britani. Ato dallohen për profesionalizëm, disiplinë, dhe dhunë brutale ndaj rivalëve. “Shkatërron një grup? Një tjetër ngrihet menjëherë,” tha një zyrtar i NCA-së.
Aktualisht, shqiptarët përbëjnë 10.6% të të burgosurve të huaj në burgjet angleze – më shumë se çdo komb tjetër – krahasuar me vetëm 1.5% në vitin 2010. Kjo rritje e frikshme është pjesërisht për shkak të rritjes së emigracionit të paligjshëm, ku vetëm në vitin 2022, mbi 12,000 shqiptarë hynë në Britani me gomone.
Shqetësimi për rrjedhën e parave: Dhjetëra milionë largohen nga Britania
Një shqetësim madhor për autoritetet britanike është rrjedha e parave të pista drejt Shqipërisë. Paratë e drogës transferohen në mënyrë të sofistikuar përmes këmbimoreve, investimeve në ndërtim apo përmes kriptovalutave. Sipas përfaqësuesve të NCA-së, çdo vit qindra milionë paund largohen nga Britania për të përfunduar në Shqipëri, ku pastrohen përmes ekonomisë reale.
Në përgjigje të këtij fenomeni, në vitin 2022, Britania nënshkroi një marrëveshje me qeverinë shqiptare për ekstradimin dhe transferimin e të burgosurve shqiptarë, duke paguar 8 milionë paund për përmirësimin e sistemit penitenciar në Shqipëri. Deri tani, mbi 200 të dënuar janë kthyer në vendlindje.
Një luftë që s’ka përfundim të afërt
Pavarësisht përpjekjeve të shumta, të dhënat sugjerojnë se rrjeti i mafies shqiptare nuk po tregon asnjë shenjë tërheqjeje. Ata vazhdojnë të lidhen drejtpërdrejt me kartelet kolumbiane, të kontrollojnë tregun e shpërndarjes së kokainës dhe të konkurrojnë me çdo çmim, shpesh duke përdorur dhunë për të ruajtur pozitat e tyre.
“Objektivi ynë nuk është të jetojmë në Britani, por të marrim paratë dhe t’i çojmë në Shqipëri sa më shpejt,” tha bosi shqiptar, që ndonëse në ilegalitet, vijon të drejtojë operacionin e tij. /Versus.al/







