
Një vilë luksoze në fshatin Picall të Tiranës dyshohet se është në pronësi dhe përdorim të Daniel Shimës, ish-Zv. drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Vox News ka siguruar vendndodhjen, fotot dhe dokumentet e kësaj vile, teksa rezulton se në atë godinë është bërë një investim tepër i madh. Godina e vjetër është restauruar, u bë një pishinë panoramike, ndërkohë që është bërë rrethimi i kodrës.
Duket se, pas kompanive të ndërtimit, lavazhit, firmave të IT-së, trojeve dhe restorantit në Farkë, ja ku zbulohet një tjetër pasuri, të cilën Shima ka tentuar që t’a fshehë, duke e regjistruar në emrin e bashkëpunëtorëve. Një tjetër skemë për të humbur gjurmët, ku 34-vjeçari duket se po sfidon institucionet ligjzbatuese, duke kanalizuar paratë e tenderave të AKSHI-t në pasuri personale, familjare apo edhe të shokëve.
Vila që shihni më sipër, në foto dhe video, është marrë nga aplikacionit “google maps”. Nga këto pamje duket se godina është 2 katëshe, me një oborr të organizuar. Godina duket e restauruar së fundmi, me stilin e banesave të vjetra në Itali.
Vox News ka mësuar se, ndërtesa është në majë të një kodre, afër së cilës ka edhe disa banesa të tjera. Ndërkohë që shtëpia ka edhe një oborr të stërmadh, madje edhe një pishinë panoramike. Kaq para’ të ketë kursyer Daniel Shima nga paga te AKSHI? Aq sa të blejë një shtëpi, ta restaurojë, të ndërtojë një super pishinë, të hap kompani apo të administrojë edhe një restorant?
Dyshimet janë të mëdha, teksa institucionet ligjzbatuese mund të zbardhin shumëçka, që nga personat që e kanë në administrim (Daniel Shima), personat që e blenë (Sokol Përllaku) apo edhe blerësit fiktivë (të njohur të Shimës).
Më sipër faktuam ekzistencën e një vile në fshatin Picall të Tiranës, pas informacioneve se në atë banesë jeton Daniel Shima, ish-nëndrejtori i AKSHI-t. Redaksia e VoxNews ka siguruar ekskluzivisht dokumente noteriale, ku rezulton se ajo pasuri është shitur në muajin korrik të vitit 2025, nga kompania e Sokol Përllakut te I.L. Kujtojmë se, Sokol Përllaku ka bashkëpunuar shumë ngushtë me nënën e Daniel Shimës, në blerjen dhe shitjen e një kompanie që xhiroi prona me vlerë miliona euro.
Ndërkohë, në datën 5 korrik tëvitit 2025, shoqëria Alu Glass, me pronar Sokol Përllakun e ka shitur me letra firmën te një blerës me iniciale I.L. “Në bazë të certifikatës për regjistrim të pronësisë, figuron e regjistruar në pronësi të palës shitëse pasuria truall + ndërtesë, me sipërfaqe 300 metër katrorë, sipërfaqe ndërtese 50 metër katror, e ndodhur në Picall” thuhet në dokumente.
VoxNews ka mësuar se shitja dyshohet se është fiktive, pasi aktualisht prona është ende e bllokuar nga kompania Alu Glass. “Pala shitëse deklaron se sipas marrëveshjes verbale të bërë me palën blerëse, ka rënë dakord t'i shesë me kusht pronën e sipërcituar, duke e kaluar atë në emrin e palës blerëse menjëherë me nënshkrimin e kësaj kontrate, por e bllokuar për llogari të shitësit, duke u vendosur shënimi në seksionin e kufizimeve, deri në likuidimin e plotë të vlerës së pasurisë”, thuhet në kontratë.
Një klauzolë për të fshehur gjurmët fillestare të Sokol Përllakut, duke vendosur emrin e blerësit fiktiv, por e bllokuar. Një skemë gati – gati e përsosur e Daniel Shimës, por jo për redaksinë e Vox News, e më pas për institucionet ligjzbatuese. Provat janë evidente dhe mjafton që këto organe të dinë si t’i kërkojnë.
Në kontratë shkruhet se palët deklarojnë se çmimi total i shitjes së pasurisë të sipërcituar është 70 000 euro, vlerë e cila do të likujdohet me këste sipas marrëveshjes së palëve. 10 mijë euro është likuiduar, ndërkohë që shuma e mbetur prej 60 mijë eurosh do të likuidohet brenda dy viteve në llogarinë bankare të noteres.
“Me nënshkrimin e kontratës do të bëhet regjistrimi i saj pranë ASHK dhe pasuria do të kalojë në emrin e blerësit I.L dhe do bllokohet në favor të palës shitëse për vlerën e mbetur pa likuiduar. Kushti i kontratës është likuidimi i vlerës së shitblerjes së pasurisë brenda dy viteve nga nënshkrimi i kësaj kontrate. Në rast se nuk plotësohet kushti, atëherë palët kthehen në gjendje të mëparshme, blerësit i kthehet vlera e paguar, ndërsa shitësit i kthehen pronat objekt i kësaj kontrate”, thuhet në kontratë.
Redaksia e Vox News publikoi disa ditë më parë dhjetëra dokumente, ku rezulton se “viktima” Daniel Shima e ka “lyer gishtin” në shumë raste, madje duke bërë biznesmene edhe nënën e tij, me profesion rrobaqepëse. Ka dyshime se paratë e tenderave, apo haraçi që paguhej për të marrë një procedurë, “pastrohej” në një kompani, e hapur fillimisht nga shoku i tij, Sokol Përllaku.
Në një kohë shumë të shkurtër, kompania xhiroi qindra mijëra euro dhe më vonë bleu troje në Tiranë dhe në zonat bregdetare, sërish duke i regjistruar në emrin e kompanisë apo edhe të vetë familjarëve të Shimës. VoxNews ka hulumtuar dhjetëra dokumente, nga Qendra Kombëtare e Biznesit, dokumente noteriale apo hipotekore, ku duket qartë lidhja e ish-nëndrejtorit Daniel Shima me kompaninë “Premium Glass”, e themeluar në vitin 2021. Një vit më vonë, aksionere me 100 % të aksioneve bëhet Merita Shima, nëna rrobaqepëse e Daniel Shimës.
Më pas, e moshuara fillon transaksione për të blerë prona në Tiranë dhe në bregdet. Sipas burimeve nga Kadastra, Merita dhe kompania e saj ka bërë prona edhe në Kashar, duke marrë më pasleje ndërtimi për godinë 8 kate. Më pas rrobaqepësja “qep” të tjera prona, duke vlerë 9 apartamente e 14 poste parkimi, me vlerë rreth 900 mijë euro.
Daniel Shima ka pasur informacione se veprimtaria e tij dhe e nënës rrobaqepëse po hetohej. Në fund të vitit 2022, ai ka “urdhëruar” nënën e tij, Meritën, që t’ia kthejë aksionet Sokol Përllakut, të njëjtit person që ia bleu. Nëse çmimi i blerjes ishte 400 euro, çmimi i shitjes nga Merita te Sokoli shkoi në vetëm 1000 euro.
Duke qenë se, kompania kishte në pronësi pasuri me vlera miliona euro, apo kishte marrë leje ndërtimi, çmimi është bërë formal, për të fshehur shumëçka. Sipas dokumenteve që disponon Vox News rezulton se ky transaksion apo kalimi i aksioneve është bërë në të njëjtën kohë që Prokuroria e Posaçme kishte nisur një hetim. Por, edhe pas shitjes me letra të kësaj firme, sërish administrator vendoset një “njeri” i besuar i Daniel Shimës. Voxnews



