AKTUALITET /

Vrasja e Renis Dobrës, SPAK kërkon kohë deri në tetor për mbylljen e hetimeve ndaj vëllezërve Bushgjokaj dhe Petrit Çakrit

Katër të arrestuarit akuzohen për vrasjen e Renis Dobrës, ngjarje e ndodhur në korrik të vitit 2025.

Shkruar nga Versus

Vrasja e Renis Dobrës, SPAK kërkon kohë deri në tetor

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), me kërkesë të SPAK, ka zgjatur me tre muaj afatin e hetimeve për tre vëllezërit Aleksandër, Kristi dhe Fation Bushgjokaj, si edhe për Petrit Çakrin, të dyshuar për vrasjen e të riut Renis Dobra.

SPAK ka kërkuar kohë deri në muajin tetor për kryerjen e disa veprimeve shtesë hetimore, duke argumentuar se janë të domosdoshme ekspertimet e telefonave celularë dhe mbivendosja e gjurmëve papilare.

Kërkesa e Prokurorisë së Posaçme u kundërshtua nga avokati Erjon Kullolli, përfaqësuesi ligjor i Fation Bushgjokajt. Sipas tij, SPAK ka pasur mundësinë objektive për të kryer veprimet proceduriale të pretenduara, por nuk i ka realizuar brenda afateve.

Avokati argumentoi gjithashtu se deri në këtë fazë proceduriale, organi i akuzës nuk ka provuar elementët e veprës penale të rrëmbimit dhe as se ajo është kryer në kuadër të bashkëpunimit të posaçëm të një grupi të strukturuar kriminal.

Mbrojtja e Bushgjokajt pretendoi gjithashtu se kërkesa e SPAK bie ndesh me vendimin e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, pasi prokuroria nuk ka argumentuar pse masa e sigurimit "arrest në burg" është masa më e përshtatshme.

Ndërkohë, përfaqësuesi ligjor i caktuar kryesisht nga gjykata për Petrit Çakrin e la në vlerësimin e trupës gjykuese kërkesën e SPAK.

Katër të arrestuarit akuzohen për vrasjen e Renis Dobrës, ngjarje e ndodhur në korrik të vitit 2025.

Dy seanca më parë, tre vëllezërit Bushgjokaj u përfshinë në një konflikt fizik në sallën e GJKKO-së me Petrit Çakrin, pasi ky i fundit i implikoi ata në vrasjen e Renis Dobrës./Versus.al

Poll