AKTUALITET /

'E moshuara kafshoi policët', Policia reagim zyrtar për ngjarjen në Golem: Videot i përkasin dy ngjarje të ndryshme!

Policia e Durrësit ka reaguar për videot e publikuara nga avokati Arben Llangozi, duke sqaruar se ato lidhen me dy ngjarje të ndryshme, për të cilat janë kryer verifikime dhe procedime penale nga organet kompetente.

Shkruar nga Versus

'E moshuara kafshoi policët', Policia reagim zyrtar për

Policia e Durrësit ka reaguar lidhur me videot e publikuara së fundmi nga avokati Arben Llangozi, duke sqaruar se pas verifikimeve janë identifikuar dy ngjarje të ndryshme që lidhen me pamjet e bëra publike.

Sipas njoftimit zyrtar, pjesa e parë e videos i përket një incidenti të ndodhur më 22 dhjetor 2025 në Golem, ku shtetasi Rexhep Ademi dyshohet se është dhunuar nga dy persona pas një konflikti për motive pronësie. Për këtë rast, materialet janë referuar në Prokurori dhe ndaj të përfshirëve është vendosur procedimi penal në gjendje të lirë.

Ndërsa pjesa e dytë e videos lidhet me një ngjarje të ndodhur më 4 maj 2026, ku nëna e shtetasit R. A., 69 vjeçe, dyshohet se ka spërkatur me lëndë djegëse dhe më pas ka ndezur një kontejner që i përket një subjekti ndërtimi në Kavajë. Gjatë shoqërimit nga policia, ajo ka kundërshtuar efektivët, duke ushtruar edhe dhunë ndaj tyre, sipas njoftimit.

Për këtë rast është nisur procedimi në gjendje të lirë për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, ndërsa hetimet po kryhen nga Prokuroria përkatëse për shmangien e konfliktit të interesit.

Policia informon gjithashtu se janë referuar në Prokurori edhe dy kallëzime të tjera të lidhura me çështjen, që kanë të bëjnë me pretendime për pronësi dhe dëmtim të një kantieri ndërtimi.

Njoftimi i Policisë:

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës

Në lidhje me një video të publikuar në llogarinë në Facebook të shtetasit A. Ll., me profesion avokat, sqarojmë se menjëherë, u kryen veprimet e nevojshme verifikuese mbi pamjet dhe ngjarje të tjera që lidhen me rastin e shfaqur në to.

-Nga këto verifikime rezultoi se pjesa e parë e videos së publikuar paraqet një ngjarje të ndodhur vitin e kaluar, për të cilën, më datë 22.12.2025, janë referuar materialet në Prokurori, ku është vendosur procedimi penal në gjendje të lirë, për shtetasit që shfaqen në video, D. Sh. dhe B. M., pasi dyshohet se më datë 22.12.2025, rreth orës 12:30, në Golem, Kavajë, kanë goditur me grushte dhe me shkelma, shtetasin R. A., me pretendimin se ky i fundit i ka fyer gjatë konfliktit për motive pronësie.

-Pjesa e dytë e videos së publikuar lidhet me shoqërimin e nënës së shtetasit R. A., shtetases Sh. A., 69 vjeçe, pasi më datë 04.05.2026, Policia e Kavajës është njoftuar se e moshuara kishte spërkatur me lëndë djegëse, dhe më pas kishte ndezur, një kontejner të një subjekti ndërtimi, në pronësi të shtetasit A. L.. Në momentin e shoqërimit, kjo shtetase ka kundërshtuar me forcë, punonjësit e Policisë, duke i goditur dhe kafshuar.

Në këto kushte, me qëllim shmangien e konfliktit të interesit, veprimet procedurale për këtë rast janë kryer nga oficeri i Policisë Gjyqësore i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ku ka filluar procedimi në gjendje të lirë, për shtetasen Sh. A., për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Më tej, informojmë se janë referuar materialet procedurale në Prokurori dhe për 2 raste të tjera të lidhura, konkretisht:

-më datë 24.03.2026, ka kallëzuar te Komisariati i Policisë Kavajë, shtetasja Sh. A., se i kishin marrë në mënyrë të padrejtë, pronën, duke e shmangur si trashëgimtare;

-më datë 15.04.2026, ka kallëzuar shtetasi E. M., se shtetasja Sh. A. kishte shkatërruar rrethimin e kantierit të ndërtimit që administron ai.

Policia e Durrësit garanton qytetarët se është maksimalisht e angazhuar, për të trajtuar shpejt dhe me profesionalizëm, çdo indicie, njoftim dhe denoncim për paligjshmëri ose shkelje të të drejtave të tyre./Versus.al

Poll