AKTUALITET /

“E papranueshme, do ta pësoni si komisariati i Peqinit!”/ Hitaj ultimatum strukturave në Shkodër e Lezhë

Policia e Shtetit me ultimatum të fortë: “Nuk do të tolerohet më asnjë shkelje e ligjit.” Operacion i gjerë për drogën, armët, ndërtimet pa leje dhe lirimin e akseve rrugore nis nga e hëna.

Shkruar nga Versus

“E papranueshme, do ta pësoni si komisariati i Peqinit!”/

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, ka vijuar takimet me drejtuesit dhe efektivët e strukturave vendore në qarqe, ku ka prezantuar prioritetet kryesore të punës për periudhën në vijim.

Në fokus të këtyre takimeve kanë qenë drejtoritë vendore të Policisë në Shkodër dhe Lezhë, si dhe strukturat për Kufirin dhe Migracionin, ku është kërkuar rritje e ndjeshme e efikasitetit në luftën kundër kriminalitetit.

Gjatë diskutimeve, Hitaj ka kërkuar masa të menjëhershme për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, si dhe identifikimin e organizatorëve dhe trafikantëve të përfshirë në këtë veprimtari. Ai ka theksuar se situata e përsëritur në disa zona të veriut nuk mund të vazhdojë më dhe kërkon një analizë të plotë dhe veprim të koordinuar për ndëshkimin e përgjegjësve.

Po ashtu, në fokus janë vendosur edhe goditja e armëmbajtjes pa leje, lufta kundër ndërtimit informal, lojërave të fatit, call center-ave të paligjshëm, si dhe forcimi i sigurisë në shkolla, rrugë dhe pronë. Drejtori ka kërkuar gjithashtu reagim të shpejtë dhe profesional ndaj çdo shqetësimi të qytetarëve.

Ai ka paralajmëruar se nuk do të ketë tolerim për asnjë shkelje ligjore, duke theksuar se çdo abuzim me detyrën do të trajtohet me masa të rënda disiplinore dhe ligjore.

Në një tjetër deklaratë, Hitaj njoftoi se nga e hëna do të nisë një operacion i gjerë për lirimin e akseve rrugore në të gjithë vendin, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH), me qëllim ndëshkimin e çdo shkeljeje dhe rikthimin e hapësirave publike në funksion të qytetarëve.

Poll