AKTUALITET /

Nga arratia në pranga / Ndalohet ish-drejtori pas vdekjes së punonjësit në punë

Ish-drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Komunitare në Gjirokastër i shpallur që në mars në kërkim ndalohet në Kakavijë, ndërsa hija e një vdekjeje në punë rëndon mbi çështjen

Shkruar nga Versus

Nga arratia në pranga / Ndalohet ish-drejtori pas vdekjes së

Një histori e mbushur me dhimbje dhe përgjegjësi të dyshuara, ka marrë një tjetër kthesë dramatike. Në pikën kufitare të Kakavijës është ndaluar ish-drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Komunitare në Gjirokastër, Adriatik Onjea, i cili ishte shpallur në kërkim pas një ngjarjeje tragjike që i mori jetën një punonjësi.

Onjea akuzohet për shpërdorim detyre dhe prishje të provave, ndërsa ndaj tij Gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”. Pavarësisht këtij vendimi, ai kishte kaluar kufirin menjëherë pas ngjarjes dhe qëndronte në Janinë, duke shmangur përballjen me drejtësinë deri në momentin e ndalimit.

Ngjarja që tronditi opinionin publik ndodhi më 3 mars në lagjen “Zinxhira” të Gjirokastrës. Një punonjës, gjatë punimeve për pastrimin e një godine private të sekuestruar nga banka, u rrëzua nga kati i dytë. Rënia ishte fatale. I plagosur rëndë, ai u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës me helikopter, por pas disa ditësh luftë për jetën, ndërroi jetë më 10 mars.

Pas kësaj tragjedie, Policia arrestoi tre persona për “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”, ndërsa Gjykata vendosi masa sigurie edhe për persona të tjerë përgjegjës: dy teknikë u lanë në “arrest me burg”, ndërsa brigadieri në “arrest shtëpie”.

Ndërkohë, Adriatik Onjea ndodhet aktualisht në spitalin e burgut në Gjirokastër, pasi ka pretenduar probleme shëndetësore.

Poll