AKTUALITET /

Operacioni “Mountain” në Krujë/ Arrestohet 55-vjeçari i shpallur në kërkim për vrasje në tentativë

I dyshuar për plagosje me armë dhe kultivim kanabisi, kapet pas më shumë se një viti në arrati në zonën e Bruz Zallit

Shkruar nga Versus

Operacioni “Mountain” në Krujë/ Arrestohet

Policia e Krujës ka finalizuar operacionin e koduar “Mountain”, duke vënë në pranga një 55-vjeçar të shpallur në kërkim për vepra të rënda penale, përfshirë tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje.

I arrestuari është Imer Kameri, i lokalizuar dhe kapur në zonën e Malësisë së Krujës, konkretisht në Bruz Zall, pas një pune hetimore dhe informacioni të siguruar në rrugë operative.

Sipas Policisë së Shtetit, ndaj tij Gjykata e Tiranës kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për veprat penale “vrasje me dashje, e mbetur në tentativë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “mbajtje pa leje e armëve dhe municionit”.

Ngjarja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur në janar 2024 në fshatin Bruzë-Zall, ku gjatë një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit Agron Asllanajn, i cili ka mbetur i plagosur rëndë.

Po ashtu, ndaj 55-vjeçarit ishte vendosur një tjetër masë sigurie “arrest në burg” edhe për veprën penale të “kultivimit të bimëve narkotike”, vendosur në gusht 2024 nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë.

Hetimet tregojnë se Kameri nuk është emër i panjohur për drejtësinë, pasi më herët, në vitin 2012, është dënuar edhe për “armëmbajtje pa leje” dhe “kanosje”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa operacioni vijon në kuadër të goditjes së personave në kërkim për krime të rënda.

 

Poll