Emigracioni vazhdon të jetë në qendër të përplasjes politike dhe juridike në Evropë, dhe Italia pozicionohet sërish në linjën e ashpërsisë: për të hedhur zjarrit benzinë ka shërbyer vendimi i Gjykatës së Drejtësisë së BE-së i datës 26 korrik, i cili vë në pikëpyetje mundësinë e përdorimit automatik nga ana e shteteve anëtare të konceptit të “vendeve të sigurta të origjinës” për të refuzuar në mënyrë të përshpejtuar kërkesat për azil.
Ky është një parim që minon në themel një nga shtyllat e strategjisë italiane për kthimet, që sapo është rikonfirmuar nga Palazzo Chigi.
Qeveria Meloni duket e vendosur të rinisë procedurat e përshpejtuara për kthimin e detyruar të emigrantëve në vendet e tyre të origjinës, përfshirë edhe një rishfrytëzim të mundshëm të qendrave të ndërtuara në Shqipëri.
Sipas leximit të qeverisë, këto qendra — të parashikuara në marrëveshjen e diskutueshme dypalëshe me Tiranën — nuk janë përmendur shprehimisht në vendimin e Gjykatës dhe, për pasojë, nuk janë shpallur të paligjshme. Një interpretim thellësisht politik, që has në rezistencë nga gjyqtarët dhe juristët.
Bashkimi Evropian mes hapave prapa dhe përshpejtimit
Në Bruksel, Komisioni Evropian përpiqet të marrë masa: pasi ndryshoi qëndrim disa herë gjatë procesit në Gjykatë — fillimisht duke mohuar, pastaj duke pranuar mundësinë për të konsideruar “të sigurta” vendet ku ekzistojnë forma të përndjekjes sistematike — tani duket se po nxit miratimin e parakohshëm të Paktit të ri Evropian për emigracionin dhe azilin.
“Inkurajojmë Parlamentin dhe Këshillin të veprojnë sa më shpejt të jetë e mundur,” deklaroi një zëdhënës për agjencinë AGI, duke pranuar në mënyrë të tërthortë se qeveria italiane me rregullat aktuale ka tejkaluar kufijtë e së drejtës evropiane.
Pakti i ri, që pritet të hyjë në fuqi në qershor 2026, do të përfshijë mundësinë për të përdorur procedura më të thjeshtuara kufitare, një listë të përbashkët të vendeve të sigurta dhe kthime më të shpejta.
Një propozim për të përshpejtuar zbatimin e tij është paraqitur që në prill nga Komisioni, por miratimi kërkon dakordësi të tre institucioneve – Parlamentit, Këshillit dhe Komisionit – nëpërmjet të ashtuquajturit “trilog”. Kjo do të kërkojë jo vetëm javë, por procedura formale, diskutime politike dhe negociata – dhe koha është e kufizuar.
Gjyqtarët dhe avokatët kundër: “Të drejtat vijnë në fillim”
Në Itali, reagimi i botës juridike ndaj vendimit të Gjykatës së BE-së ka qenë i prerë: për Shoqatën Kombëtare të Magjistratëve (ANM), e përfaqësuar nga sekretari Rocco Maruotti, vendimi i Gjykatës ka vlerë strukturore dhe nuk do të zhbëhet as me hyrjen në fuqi të Paktit të ri Evropian.
“Parimi sipas të cilit është gjykatësi ai që vendos nëse një vend është i sigurt nuk mund të fshihet nga asnjë ligj,” tha Maruotti për Corriere della Sera.
Edhe Unioni i Dhomave Penale të Italisë u shpreh qartë: “Të drejtat themelore duhet gjithmonë t’i nënshtrohen kontrollit gjyqësor. Emigranti duhet të ketë mundësinë të kundërshtojë përcaktimin e vendit të tij të origjinës si ‘të sigurt’, dhe gjyqtari duhet të jetë në gjendje ta verifikojë këtë.” Një qëndrim që vë në diskutim të gjithë arkitekturën mbi të cilën bazohen dekretet e sigurisë dhe politikat për kthimet e përshpejtuara.
Gjader dhe Shëngjin
Qendrat e ndërtuara në Gjader dhe Shëngjin, në Shqipëri, rikthehen sërish në qendër të debatit: të krijuara për të “strehuar” emigrantët e shpëtuar në det nga anijet italiane jashtë territorit të Bashkimit Evropian, sot ato shihen nga qeveria Meloni si një nyje logjistike për operacionet e kthimit.
Por Gjykata e BE-së, megjithëse pa i përmendur drejtpërdrejt, ka theksuar se çdo vendim për sigurinë dhe azilin duhet të jetë objekt i një kontrolli efektiv nga një autoritet gjyqësor – gjë që nuk mund të garantohet në territor jashtë BE-së, ku e drejta evropiane nuk zbatohet plotësisht.
Sipas ministrit të Brendshëm italian Matteo Piantedosi, megjithatë, “linja e qeverisë nuk ndryshon”.
Edhe ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani, megjithëse më i moderuar, e ka cilësuar “pa sens” vendimin e Gjykatës dhe ka sulmuar fort parimin që gjyqtarët duhet të përcaktojnë nëse një vend është i sigurt apo jo:
“Si mund të mendohet që një gjyqtar të vendosë nëse një vend është i sigurt? Kjo është një punë e gjatë dhe komplekse që përfshin ambasadat, diplomatët, ministritë… Nuk është një vendim individual.
''Nuk është sikur e vendos një ministër. Është rezultat i një pune kolektive të institucioneve,” tha Tajani për Corriere della Sera. “Çfarë do të thotë, të çojmë një gjyqtar në Ministrinë e Jashtme? Vetëm në diktaturat gjyqësore të gjithë janë të diskutueshëm, përveç gjyqtarëve. Kjo nuk është siguri ligjore, por pasiguri.”
Ai shtoi se, në pritje të hyrjes në fuqi të Paktit të ri, qeveria italiane “ka ndërmend të ecë përpara”.
Një përplasje që fsheh një problem struktural
Në zemër të kësaj përplasjeje mes qeverisë dhe gjyqësorit, dhe mes Italisë dhe Brukselit, mbetet një e vërtetë e vështirë për t’u mohuar: sistemi aktual evropian i azilit nuk po i reziston dot presionit politik dhe shoqëror.
Vendimi i Gjykatës së Luksemburgut nuk ndalon kthimet, por vendos kufij të qartë juridikë: nuk mund të mohohet mbrojtja në mënyrë automatike. Çdo rast duhet vlerësuar në meritë. Ky parim – garantist, por thelbësor në një shtet të së drejtës – përplaset me vizionin e sigurisë që ndjek Italia.
Rreziku është që emigracioni të kthehet në një terren fushate elektorale të përhershme: me qeverinë që përpiqet të forcojë rregullat, gjyqësorin që mbron autonominë e vet, dhe Evropën që duhet të përballet me paqartësitë e veta.
Ndërkohë, qindra migrantë mbeten të bllokuar në limbo administrative në qendrat italiane për riatdhesim (Cpr), ose rrezikojnë të dërgohen në struktura jashtë BE-së, statusi juridik i të cilave është ende i paqartë./Marrë nga Fanpage.it







